Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po zhvillon ditën e sotme një takim me qytetarët në Durrës, deklaroi se opozita nuk do të ndal në asnjë rast punën e tij dhe se do të sjellë ndryshimin për të cilin vendi ka nevojë.
Gjatë fjalës së tij Basha tha se PD-ja është e përkushtuar ndaj angazhimeve.
Mes të tjerash ai i kthehu sërish përgjigje ftesës për bashkëpunim nga kryeministri Edi Rama, ndërsa shtoi se; “Për PD, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero”.
“Së pari, mirë se ju gjej! Dua ta nis me një falënderim nga zemra për punën vetëmohuese, për sakrificën e jashtëzakonshme, për betejën e paparë që keni zhvilluar gjatë këtyre javëve dhe muajve ju si drejtuesit e një ekipi të madh, bashkë me qindra mijëra qytetarë të qarkut të Durrësit dhe t’ju them nga zemra se mirënjohja ime është e pakufi për një sakrificë të cilën fjalën nuk e përshkruajnë dot, por që e di se ka qenë kyçi i ndezjes së frymës së ndryshimit anembanë Durrësit dhe anembanë Shqipërisë. Ndaj, nga zemra faleminderit dhe mirënjohje gjithsecilit prej jush, të gjithë demokratëve dhe demokrateve të Durrësit, të gjithë mbështetësve tanë dhe të koalicionit tonë të cilët gjatë këtyre muajve sfide të pabarabartë dhanë shpirtin e tyre të pastër, dhanë gjithçka kishin dhe sakrifikuan gjithçka kishin në këtë betejë.
Vëllezër dhe motra, ne këtë betejë nuk e nisëm për veten tonë. Që në fillim të fushatës e kemi thënë dhe e kam thënë të qartë që kjo betejë nuk bëhej as për mua dhe as për Partinë Demokratike. Kjo betejë bëhej për shqiptarët, bëhej për Shqipërinë, kjo betejë bëhej për prindërit tanë, të cilët prej vitesh lëngonin, me pensione të mbetura në vendnumëro, me koston e jetës të rritur, kjo betejë bëhej për të rinjtë që duan të ikin, për t’i mbajtur këtu, kjo betejë bëhej për ndërmarrjet që mos të mbyllnin vendet e punës, për biznesin e vogël që mos të mbyllte qepenat për të sëmurët, për shëndetësinë, për arsimin, për vendin tonë, për familjet tona, për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Dhe ne morëm përsipër një mision. Një mision për ta drejtuar këtë vend pas 8 viteve lëngate, vjedhje, krimi dhe poshtërimi, drejt një të ardhme më të mirë. Ky ishte misioni ynë. Me këtë mision iu përveshëm fushatës derë më derë. Një fushatë qytetare, një fushatë europiane, me program, me ide, me zgjidhje, me ofertë konkrete, me pastërtinë e shpirtit të demokratëve që na ka karakterizuar prej ditëve të para të fillesave tona si një familje e madhe politike.
Shumëkush më ka thënë këto ditë se beteja i përngjiste 91-shit. Njësoj si në 1991 ne u futëm në këtë betejë të barabartë me qytetarët. Njësoj si ta por me peshën dhe përgjegjësinë mbi supe për të arritur diçka që vetëm ne mund ta udhëhiqnim; ndryshimin që të gjithë prisnin.
E dimë fare mirë dhe e dinim edhe atëherë se përballë do të kishim bandat. Bandat e Durrësit, bandat e Shijakut, bandat e Krujës dhe të Fushë Krujës të bëra njësh me pushtetin më të korruptuar dhe të inkriminuar që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite të Edi Ramës. E dinim fare mirë se në muajt, madje në vitin pararendës, ky pushtet bëri gjithçka për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Ne u nisëm drejt një destinacioni që nuk na përkiste thjesht nesh. Nuk u nisëm për karriket e pushtetit, por u nisëm për të marrë të gjithë shqiptarët me vete drejt një ndryshimi real, të mundshëm dhe që do t’i shërbente çdo familje shqiptare. Do t’i shërbente pensionistëve që mezi mbajnë frymën gjallë. Do t’i shërbente të rinjve për të ëndërruar dhe për të bërë realitet ambiciet e tyre këtu në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë. Do t’i shërbente edhe atyre socialistëve që pasi u morën votën dhe ju premtuan legalizimet, u çuan fadromat në Durrës. Apo pasi i lanë të ndërtonin pa leje, ju çuan prapë fadromat dy ditë pas zgjedhjeve në Sarandë.
Beteja po bëhet për të ardhmen e Shqipërisë, ndaj nuk do të cedojmë asnjë milimetër, nuk do të humbasim asnjë sekondë, nuk do të lëmë asnjë mjet, asnjë forum dhe asnjë copëz energji dhe fuqi, pa përdorur, derisa ëndrra e shqiptarëve për ndryshim, ta bëjmë realitet, derisa Shqipëria të jetë e sigurt drejt të ardhmes më të mirë, për të cilën investoi fuqishëm me 25 prill, ëndërr të cilën kemi detyrimin ta bëjmë realitet, me gjithë forcën tonë të përbashkët. Ju falemnderit!”, tha Basha./ balkanweb