Ditën e sotme në vendin tonë janë kryer 5.662 vaksinime anti COVID, kurse që nga fillimi i fushatës “Shqipëria Buzëqesh” janë bërë 638.338 vaksina. Shifrat i ka publikuar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Vaksinimi masiv vijon me kalendar të kombinuar, për disa kategori ku këtu përfshihen personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike si punonjës të fasonerive, operatorëve turistikë, policë, gazetarët dhe operatorët e terenit.
Qeveria ka shpallur objektivin për të vaksinuar 1 milionë qytetarë brenda muajit qershor. Çdo javë do të vijnë vaksina antiCOVID sipas kalendarit të lëvrimit të kontratave të siguruara në mënyrë që të arrihet sa më shpejt kryerja e 1 milion vaksinimeve në të gjithë vendin. Kroacia mori sot vendimin për të dhuruar 20 mijë doza vaksine kundër koronavirusit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Secili shtet do të marrë nga 10 mijë doza, ndërsa vendimi u mor nga Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic.
Ndërsa para 3 ditësh në vendin tonë mbërritën edhe 11700 doza të vaksinës Pfizer, duke e çuar numrin total të vaksinave të mbërritura në vend në më shumë se 760 mijë. Vijimi i procesit të vaksinimit masiv do të sjellë edhe një sezon turistik më të lehtësuar. Njëkohësisht edhe shifrat ditore të COVID kanë shënuar ulje drastike. Për 24 orët e fundit janë raportuar 45 raste të reja dhe 3 humbje jete nga COVID.