Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland i ka kërkuar Kongresit një miliard dollarë fonde për të luftuar dhunën ndaj grave, përfshirë abuzimin në familje dhe sulmet seksuale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton për sfidat me të cilat përballen shumë të mbijetuara.
Nga Uashingtoni e deri në Azinë Jugore dhe Evropë, gjithnjë e më shumë njerëz po ngrenë zërin për të luftuar dhunën ndaj grave, traumën e mbajtur fshehur prej tyre për shumë kohë nga turpi.
Ndërsa figura dikur të respektuara në fushën e argëtimit dhe profesione të tjera, përfshi ish mjekun e ekipit olimpik amerikan Larry Nassar, përballen me pasoja për sulmet e tyre seksuale, të mbijetuarat e traumatizuar vazhdojnë të vuajnë.
“Jam e zemëruar me veten time që nuk e kuptova abuzimin, dhe është diçka që më mundon edhe sot”, tha Jordyn Wieber, fituese e çmimit të artë në Lojrat Olimpike 2012.
Është një reagim i zakonshëm, thotë një aktiviste për të drejtat e grave që është sulmuar seksualisht si studente në kolegj.
“Më kujtohet në atë kohë që pyesja veten, “a është kjo që më ndodhi një krim apo jo? Dhe mendoj se është një reagim shumë i zakonshëm për shumë të mbijetuara sepse, dhuna ndaj grave është normalizuar kaq shumë”, thotë Patricia Cumbie.
Viktima të tjera të reja trafikohen për prostitucion ose pornografi, ndonjëherë nga njohje të rastësishme, dhe gjithnjë e më shumë nga bandat e rrugëve.
“Përdhunohen nga banda, rrihen brutalisht, krijojnë varësi tek droga, i lidhin me zinxhirë, dhe i fusin në kafaze”, thotë Lois Lee me organizatën Children of the Night.
Viktimat ndonjëherë detyrohen të përfshihen në krime të mëdha, si të shtëna me armë dhe grabitje.
Abuzuesit mund të kenë një kontroll psikologjik mbi viktimat e tyre, të cilën punonjësit socialë e quajnë një lidhje traumatike, thotë një e mbijetuar e trafikimit seksual në familje e cila ndihmon të mbijetuarat e tjera.
“Imagjinoni që lidhja mund të fillojë me një vajzë 12-vjeçare, një vajzë 13-vjeçare dhe të vazhdojë për pjesën më të madhe të jetës së tyre”, thotë Alia Dewees me organizatën Safe House Project.
Një studim ndërkombëtar thotë se gati gjysma e viktimave të reja të trafikut njerëzor trafikohen nga anëtarë të familjes.
“Ka raste që këta fëmijë ose përfundojnë të trafikuar nga një anëtar I familjes, ose mund të përfundojnë në shtëpinë e fëmijëve nga ku më pas mund të largohen dhe të përfundojnë në rrugë”, thotë Brittany Dunn me organizatën Safe House Project.
Pavarësisht nëse janë viktima të trafikimit apo dhunës në familje, të mbijetuarit kanë nevojë për ndihmë, thotë një punonjëse bamirësie që mbikëqyr strehimin e përkohshëm për gratë myslimane dhe të tjerët.
Shpesh këto gra janë mbajtur të mbyllura, nuk kanë kursime, nuk kanë aftësi për të gjetur punë”, thotë Malika MacDonald me organizatën ICNA Relief USA.
Disa gra dhe adoleshente të trafikuara tërhiqen nga prostitucioni ose pornografia, ose mundohen të mbijetojnë në qendrat për të pastrehët.
“Është shumë e vështirë kur një grua që ndoshta ka lënë një martesë abuzive dhe përpiqet të bëjë një jetë më të mirë për veten ose për fëmijët e saj, çdo ditë është e ekspozuar ndaj dikujt në strehimore që abuzon në mënyrë aktive me drogën ose alkoolin ose njerëz të cilët kanë probleme të rënda të shëndetit mendor”, thotë Malika MacDonald.
Çfarë nevojitet të bëhet? Ekspertët thonë: duhet strehim afatgjatë, edukim dhe mbështetje emocionale. Për këtë qëllim, ata thonë se më shumë fonde qeveritare nuk do ta zgjidhin problemin, por do të ndihmojnë.
/zeriiamerikes