Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sërish sekuestro preventive mbi llogaritë bankare në emër të mjekut Edvin Prifti duke i sekuestruar shumën prej 51.479.368 Lekë dhe shumën prej 177.497 Euro ose në total mbi 73 milionë lekë. Më herët mjekut Edvin Prifti i është sekuestruar edhe 380 mijë euro, që iu gjet cash në zyrë dhe në shtëpi. Në total sekuestro e pasurisë nga SPAK ndaj mjekut Edvin prifti ka shkuar në 1 milionë euro.
SPAK akuzon mjekun Prifti për korrupsion pasiv dhe për pastrim parash përmes skemave fiktive që kishte ngritur përmes dy kompanive dhe përmes tyre bënte transaksione fiktive bankare,
Sipas SPAK, Edvin Prifti kishte ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Gjithashtu nga verifikimi i llogarive bankare të mjekut apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se Prifti kryente depozitime Cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë. Sipas SPAK shumat e parave të depozituara në bankë Cash, nga Edvin Prifti në llogaritë personale apo edhe kompanitë fiktive të krijuara prej tij janë produkte të veprës penale.
Nëpërmjet dy kompanive të tij person fizik mjek kardiolog dhe kompanisë Cardio – MH dyshohet se Prifti ka prerë fatura fiktive duke kaluar paratë në bankat e nivelit të dytë për shërbime apo punë të pakryera. Aktualisht edhe këto kompani janë në sitën e SPAK dhe pritet që ndaj Doktorrit të vendos gjykata e lartë nëse do e rikthejë apo jo në qeli, pasi prokurori Altin Dumani ka bërë rekurs për lirimin e doktorit nga qelia.
Aktualisht mjeku Prifti, është lënë i lirë nga Gjykata e Apelit, ndërsa ndaj tij qëndron vetëm masa e heqjes së të drejtës së ushtrimit të profesionit në spital. Ndërkohë pritet që shpejt ai të merret i pandehur për akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mashtrimit me taksat.
Mjeku Prifti mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga Enkelejda Hoxha por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës. Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë Euro dhe 16 mln leke cash në zyrë e shtëpi./ shqiptarja.com