Është kapur në Kosovë një kamion me 400 kg kokainë që ka kaluar nga porti i Durrësit e cila kapte vlerën e 20 mln euro. Report Tv bën me dije se bëhet fjalë për një operacion të kryer nën koordinimin e DEA-s amerikane, të cilët kishin informacion që në origjinë për ngarkesën në fjalë duke i vendosur GPS për të parë se ku do të shkonte.
Nga operacioni janë arrestuar 7 persona, shtetas të Kosovës dhe janë shpallur disa të tjerë në kërkim. Shoferi i kamionit, i cili është mes të arrestuarve, ka thënë se nuk ka pasur dijeni që ka pasur drogë në to. Janë sekuestruar para, armë dhe makina dhe janë bërë kontrolle në disa zona të ndryshme që mendohet se vepronin me grupin kriminal.
Kokaina ishte fshehur në kamionin me mish pule dhe konteineri u nis nga Amerika e Jugut, ndaloi në Gioia Tauro në Itali dhe më pas ndaloi në Durrës. Me të mbërritur konteineri në Durrës, policia shqiptare ka konstatuar drogën, por nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryheshin procedurat për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij. Pasi kanë kryer procedurat, autoritetet e kanë ndjekur kamionin me konteinerin sipër, i cili është nisur për në Kosovë. Në këtë moment është njoftuar edhe policia e Kosovës dhe sa ka kaluar kufirin policia ka ndërhyrë duke bërë edhe sekuestrimin e sasisë së madhe të drogës në Lipjan. ReportTv mëson se operacioni është ndjekur prej 15 ditë deri në mesditën e kësaj të hëne kur është bërë edhe dorëzimi i kontrolluar.
Kokaina ishte e vendosur në 20 arka, ku ishin hequr pulat dhe ishte vendosur droga në vend të tyre.
Krahas DEA-s, në operacion janë përfshirë pala italiane, si vendi ku konteineri bëri tranzitin për në Shqipëri, pala shqiptare si edhe policia e Kosovës pasi u zbulua se cili do të ishte destinacioni final i konteinerit të mbushur me drogë.
Porosia e mishit të pulës ishte bërë nga kompania MC FOOD me seli në Kavajë Shqipëri dhe Lipjan Kosovë. Ndërkohë policia e Kosovës dhe ajo shqiptare në bashkëpunim me DEAN dhe Prokurorinë e Posaçme kanë vënë në hetim pronarët e MC FOOD me shtetësi kosovare, Izet Sheqiri dhe atë me shtetësi shqiptare, Bledar Habili. Habili rezulton dhe administrator i kësaj kompanie me seli në dy shtete dhe krijuar 7 muaj pra se të kapej kjo sasi prej 400 kg kokainë, përkatësisht më 18 nëntor 2020. Aktualisht kontrolle po kryehen edhe në Shqipëri në pronat e Habilit dhe selinë e tij të biznesit në Kavajë, ndërsa pritet që në sitë të kalojnë dhe importet e kryera nga kjo kompani në 7 muajt e krijimit të saj.
Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, si dhe përfaqësuesit e autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare, thanë në një konferencë për shtyp se 7 persona janë arrestuar për kapjen e 400 kg kokainë në Lipjan.
Mehmeti tha se është sekuestruar një sasi e lartë prej 400 kilogramë kokainë, si dhe një armë, ndërsa operacioni është duke vazhduar.
‘Deri tani janë arrestuar 7 persona nga Kosova, janë konfiskuar 400 kg kokainë, 1 armë dhe lloje të ndryshme të veturave që gjendeshin në depo’- tha Mehmeti.
Sakaq kryeprokurori Lumezi tha se ky kontingjent kokaine me vlerë rreth 20 mln euro, dyshohet se ka ardhur nga Brazili, ka kaluar nëpërmjet Italisë në Shqipëri e më pas edhe në Kosovë, ndërsa hetimet vazhdojnë në të trija vendet.
‘Ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë, janë ndërmarrë masa dhe veprime që kanë rezultuar me konfiskimin e 400 kg kokainë, vlera e së cilës është rreth 20 milionë euro dhe janë sekuestruar sasi e parave, veturave dhe gjësendeve të tjera, të cilat do të përdoren në procedurat e radhës. Dëshiroj të them se gjatë fazës së hetimeve janë përdorur masa të fshehta, ku kemi përcjellë lëvizjen e kësaj ngarkese, nga Brazili në Itali, pastaj në Durrës dhe deri në arritjen e destinacionit, pra në Republikën e Kosovës’- tha Lumezi.
Ndërkaq, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se një aksion i tillë nuk mund të luftohet nga një shtet i vetëm, prandaj edhe janë bërë bashkë për të vepruar kundrejt kësaj vepre kriminale.
“Jemi të vetëdijshëm që rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të luftohen nga një shtet i vetëm, prandaj kemi bashkëpunuar me partnerët tanë”, ka thënë Lumezi
Prokurori shqiptar i çështjes, Vladimir Mara gjatë konferencës së përbashkët të zhvilluar në Kosovë për kapjen e 400 kg kokainë tha se është një ndër hetimet më të mira të kryera, me metoda speciale.
‘Në fakt është ndër hetimet më të mira që ne kemi ndjekur për shkak të metodave speciale të hetimit që kemi përdorur. Ky hetim është nisur në Itali, pastaj në Shqipëri dhe më pas në Kosvë, hetimet vazhdojnë në të tria vendet.’- tha Mara.