Vendimet e rrufeshme të Këshillit Kombëtar të Pd-së, me gjysmën e anëtarëve të vet, ndërprenë të githa shpresat e një gare të drejtë dhe të ndershme për kreun e kësaj partie në qershor. Por, njëkohësisht me këtë, kryetari i kësaj partie rrëzoi dhe monumentin që i kishte ngritur vetvetes gjatë fushatës.
Lulëzim Basha real , as dy javë pas zgjedhjeve, rrëzoi Lulëzim Bashën virtual që e ngritën me aq mundim kompania e tij e Pr-t, që paguhej me taksat e shqiptarëve, dhe analistët e gjithologët e studiove televizive që paguhen gjithashtu po prej taksave të shqiptarëve.
Në të vërtetë, duhet të besosh se ke të bësh me një popull idiot që, një njeri që pas zgjedhjeve bën kauzë votën e lirë, të sillet kësisoj me garën dhe votën e lirë në partinë e vet dhe të besojë njëkohësisht se do të marrë nesër votat e tij.
Gjithsesi, të shohim portretizimin virtual të Lulëzim Bashës gjatë fushatës që kaloi. Besoj ju kujtohet që, në përputhje me premisën e orientimit europian të votuesit, Pr-i i konsulencës, analistët dhe gjithologët përreth liderit të opozitës krijuan kundërvënien europian/oriental, përndryshe oksidental/ oriental që do t’i përgjigjeshin, e para Lulëzim Bashës, europiani, dhe e dyta Edi Ramës, orientali.
Brenda kësaj paradigme, Basha portretizohej si njeriu që i ka mbaruar studimet në një vend europian/oksidenti, përkundrejt një lideri që i kishte mbaruar studimet në akademinë e vobektë të Arteve shqiptare/orienti. Po brenda kësaj paradigme, Basha portretizohej si lideri që flet drejtpërdrejtë me shefat e mëdhenj të Komisionit Europian/ oksidenti, përkundrejt një Rame që ka mik për kokë Erdoganin/ orientali autokrat që qeveris me diktat dhe nuk njeh votën e lirë etj., etj. Në këtë funksion madje kemi pasur dhe veshjen serioze me kostum e kollaro të Bashës/ oksidentali dhe poturet apo brekushet e Ramës/ oriental/ Erdogani/ Emiratet e Bashkuara etj., etj.
Tani kuptohet qartë pse vendimet e shpejta të Këshillit Kombëtar të Pd-së, që fshinë çdo frymëzim për një rilindje të qendrës së djathtë pas një humbjeje të rëndë të zgjedhjeve, e rrëzuan sakaq dhe monumentin virtual të liderit të tij. Këto ditë, shumëkush, po sidomos ata që shpresojnë ende te Pd-ja, e kanë të qartë që një Bashë europian, siç këndelleshin me këtë ide para televizorit, nuk akziston, madje mund të mos ketë ekzistuar kurrë.
Në të kundërt, ky njeri do ta kishte dhënë dorëheqjen, do ta kishte uruar fitimtarin e do të kishte hapur garën brenda partisë së vet që ditën kur dolën rezultatet. Këto veprime dp t’i jepnin një dimension europian jo vetëm humbjes, por dhe dinjitetit të tij si politikan e dinjitetit të partisë së tij.
Mirëpo kjo nuk ndodhi e nuk kishte sesi të ndodhte, se europiani apo europianja për liderin e për partinë demokratike kanë qenë dhe janë thjesht një fiksion propogandistik. Mjaft të mësosh se kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve të qershorit në Pd është Jemin Gjana, për të kuptuar se ajo parti është me galaktika larg garës e zgjedhjeve të lira dhe se struktuarat që trukojnë votën te të gjitha llojet e zgjedhjeve brenda saj udhëhiqen nga parimi i madh stalinist: ju votoni, ne numërojmë. Në krye të asaj strukturë mbushur me sigurimsa , është z. Berisha. Basha është nxënës i devotshëm i tij. Po dhe po aq i paskrupullt, në mos më gjakftohtë se shefi i vet.
Pra, në skenën e sallës së madhe të Këshillit kombetar kemi një monument të rrëzuar sa gjerë gjatë. Në vend të tij kemi tani Lulëzim Bashën real, armikun e garës, armikun e votës së lirë, Me të cilin në krye Partia demokratike ka vetëm një portë të hapur, atë të humbjeve.
Në vend të europianit, kemi përballë “Orientalin” , që kishte bërë vetëm një trukim propogandistik sa për fushatë. Do ta pranojë Partia demokratike të vijojë të udhëhiqet prej tij, këtë do ta shohim. Por kujtesa nuk na ka lënë. Disa vite më parë, kur konkuronte me Sokol Olldashin, Partia Demokratike pranoi ta udhëhiqej në vijim nga Lulëzim Basha, megjithëse minjtë e bodrumeve i kishin trukuar rëndshëm votimet, Përfundimet e asaj masakre elektorale mbi votat e anëtarësisë së partisë demokratike ja ku i kemi sot: një lider që nuk ngjall besim dhe që mimetizon europianin, së bashku me partinë e tij.
Ndërkaq të shohim çdo të ndodhë deri në qershor: do ta lerë partia demokratike monumentin e liderit të vet ashtu të përmbysur në sallën e madhe të mbledhjeve të Këshillit Kombëtar apo do ta ngrerë atë sërish që ta udhëhiqet prej tij? Nëse po, do të gënjejë vetëm veten që është parti europiane. Se, sa për shqiptarët, vështirë të besohet./ Met Devishi