KAS ka shtyrë vendimin për ankimin e PD dhe LSI për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës. Pasi ka shtyrtuar ankimimin për Vlorën, KAS ka vendosur të rrëzojë kërkesën e PD për prova shtesë nga institucionet dhe e tjera publike, ndërsa ka pranuar kërkesën e LSI për të marrë informacion në sa qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja PEI në këtë qark. Me kërkesën e dy anëtarëve do të kërkohet edhe informacioni i kryqëzimit të të dhënave të Pajisjes PEI për këtë qark.
Teksa PD dhe LSI kanë paraqitur pretendimet e tyre për Vlorën, kurse, përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji i kërkoi opozitës mos vijonte më me kërkesat e tjera ankimore pasi sipas tij nuk po sillte asnjë gjë të re dhe i kërkoi KAS të refuzojë shqyrtimin e ankesave.
Akuzat më të forta për Gjirokastrën kanë qenë për votim të dyfishtë, por këtë e mohoi në mbledhje përfaqësuesi i PS i cili tha se ka zero shanse të ketë ndodhur, ndërsa për problemet teknike thotë se duhet të përgjigjen personat përgjegjës. Ivi Kaso i PD nga ana tjetër theksoi se provat sipas tij janë të qarta dhe i mbetet në dorë KAS të vendosë nëse paligjshmëria shkakton pavlefshmëri dhe a duhet përsëritur procesi ose jo.
Për qarkun e Vlorës mbledhja do të vijojë sërish nesër. Administrata e KQZ dje përfunduar shqyrtimin e materialeve zgjedhore për 24 kutitë me materiale zgjedhore për qarkun e Beratit, për të gjetur parregullsi me kërkesë të LSI-së. Për shkak të volumit të materialit zgjedhor dhe shqyrtimit të imtësishëm që do t’i bëhet këtyre, KAS ka vendosur që vendimi përfundimtar për qarkun e Beratit të jepet po nesër, nëse do të ketë apo jo rinumërim.
Ankimimi i PD për Qarkun e Gjirokastrës
Ankimimi i LSi për Qarkun e Gjirokastrës
Silva Caka: Persona në karantinim të ardhur nga Greqia shërbyen si komisionerë e numërues të PS! KAS të zbatojë ligjin, faktet flasin për manipulim të zgjedhjeve
Ish-deputetja e LSI, Silva Caka i ka bërë thirrje KAS që të zbatojë ligjin pasi, sipas saj, faktet tregojnë për manipulimin e procesit të zgjedhjeve. Në një deklaratë për mediat, Caka tha se nga hapja e 24 kutive me materiale zgjedhore në Berat rezultoi se ka më shumë fletë votimi, sesa votues në listë. Po ashtu, Caka shprehet se ka edhe shtetas që janë lejuar të votojnë disa herë, fenomen ky sipas saj i përsëritur në të 12 qarqet.
Ajo akuzon se në Gjirokastër, persona që u futën në vend nga Greqia pas vendosjes së karantinës, kanë shërbyer si komisionerë dhe numërues për llogari të Partisë Socialiste
“Masakra zgjedhore e 25 prillit tashmë konfirmohet me fakte të reja. Për Gjirokastrën dhe Beratin kanë dalë prova të tjera, të cilat rrezojnë plotësisht procesin kriminal të 25 prillit.
Rilindja, më 25 prill, përdori administratën publike, grupet e strukturuara kriminale, Policinë e Shtetit, por më e rënda ka të bëjë me deformimin e vullnetit të qytetarëve brenda në kutitë e votimit.
Operacioni për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit filloi para ditës së votimit, u ekzekutua ditën e votimit dhe vazhdon ende, në sytë e gjithë shqiptarëve, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Është provuar me fakte konkrete, nga hapja e kutive të Beratit, manipulimi I procesit zgjedhor dhe nderhyrja drejtpërdrejt në kuti, ku rezulton se ka më shumë fletë votimi, sesa votues në listë.
Një tjetër fakt i rëndë, është që shtetasit janë lejuar të votojnë disa herë, fenomen që është përdorur gjerësisht në të 12 qarqet e vendit. Ky fakt na nxjerr në përfundimin se kjo masakër është e orkestruar me urdhër të Edi Ramës.
Në Gjirokastër, rezulton se janë futur shtetas nga Greqia pas datës 19 prill, kur u vendos karantinimi antikushtetues dhe i qëllimshëm, të cilët kanë shërbyer si komisionerë dhe numërues për llogari të Partisë Socialiste, ndërkohë që e drejta kushtetuese e votës, iu mohua mijëra shqiptarëve të tjerë, që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Pra, duket qartë se Partia Socialiste, përdor standard të dyfishtë, ku nga njëra anë iu mohon qytetarëve të drejtën për të votuar, nëpërmjet një karantinimi që zgjati vetëm 1 javë dhe nga ana tjetër, persona që duhet të ishin nën karantinë, dalin komisionerë, votues dhe numërues, në shërbim të partisë në pushtet.
Këto janë fakte shumë të rënda, të cilat rrëzojnë tërësisht procesin kriminal të 25 prillit.
I bëjmë thirrje Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, të zbatojë ligjin, sepse faktet flasin vetë. I bëjmë thirrje KQZ-së të mos bëhet pjesë e axhendës kriminale të Edi Ramës, për të vulosur masakrën e zgjedhjeve.
Lëvizja Socialiste për Integrim, është e vendosur për të bërë transparencë deri në fund, për këtë farsë zgjedhore dhe do të denoncojë çdo ditë me fakte e prova të reja”, tha ajo.
Ivi Kaso: KAS po shkel çdo standard zgjedhor dhe ka si qëllim të fshehë masakrën zgjedhore
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, i ka konsideruar skandaloze vendimet e fundit të KAS për të mos pranuar kërkesat e PD për prova shtesë.
Kaso ka thënë se në KQZ po shkelet çdo standard zgjedhor dhe ka si qëllim të fshehë masakrën zgjedhore.
“Për të zbuluar dimensionin e plotë të masakrës zgjedhore për masakrën e 25 prillit. Ditë pas ditë po zbulohen parregullsi dhe shkelje që e kanë karakterizuar këtë proces. Refuzimi i KAS për të mos i marrë këto prova është një shkelje e cila shkon kundër interesit të qytetarëve shqiptarë, që është zbardhja e asaj që ka ndodhur më 25 prill. Ky vendim i KAS shkon në drejtim të kundërtën me transparencën.
Vetë anëtarët e KAS artikuluan nevojën e plotë për të sqaruar lidhur me zgjedhësit që kanë votuar më shumë se një herë.
Në do të vazhdojmë me kërkesat tona për shpalljen e pavlefshmërisë në zonat e tjera. Por do të donim që institucioni që administron ankimimet zgjedhore të ngrihet në nivelin e detyrës së tyre”, tha Kaso.