Të tjera dëshmi tronditëse vijnë nga Lezha, aty ku një ditë më parë u zbulua përdhunimi në grup i një 15-vjeçareje.
Babai i të miturës tha në një rrëfim ekskluziv për emisionin “Me zemër të hapur’, në News24, se e gjithë familja e tij ndodhet në gjendje shumë të rënduar pas ngjarjes.
I ati kërkoi drejtësi për autorët, si dhe largimin e pesë familjeve nga fshati, pasi sipas tij, i ka 10-100 metra larg, raporton “BalkanWeb”.
Rrëfimi i babait të 15-vjeçares:
Babai: Gjendja në familje është shumë e rëndë. Tani sapo ka ardhur bashkia, asnjë organizatë nuk ka ardhur. E kemi bërë ekzaminim mjeko-ligjor dje në Tiranë. Shkuam me makinën e policisë. Çfarë të flas! Vajza është në familje tani.
Avokati: Vajza duhet të largohet menjëherë nga banesa, sepse kemi një viktimizim, që ka pasoja për të.
Babai: Gjysmën e atyre djemve i kemi komshinj. I kam 10-100 metra larg.
Nëna: Nëse keni mundësi, unë dua një ndihmë për vajzën, çdo lloj ndihme, çfarë të jetë më e mira të bëhet për atë vajzë.
Avokati: I bëj thirrje Policisë së Lezhës dhe Prokurorisë të largojnë urgjentisht vajzën nga familja. Mos e lini aty, se ai fëmijë do të pësojë qamet.
Çfarë ju tha vajza?
Babai: Më 7 mars vajzës i dhashë lekë për të blerë një dhuratë, si të gjithë. Po më datë 7 autori i ka dhënë një telefon. Më datë 8, ai e ka marrë në telefon, e ka vënë në makinë dhe e ka çuar…, i ka hedhur në pije kokainë, a ku di unë. Ai ka abuzuar me të direkt. Unë e kam marrë vesh ditën e hënë. Vajza ishte në gjumë nga ora 21, bashkëshortja hyri te dhoma e saj dhe i pa telefonin. Ja mori me qetësi, pa e dhunuar, i bërtiti vetëm pak. Unë nuk dija asgjë. Ai krimineli i kishte thënë të hapte një adresë Facebooku me emër tjetër, që të mos e njihnim. Vajza nuk na tregonte kodin, por ne ja morëm.
Çfarë kishte brenda telefonit?
Telefoni është në polici, me video, me mesazhe, etj. Videot ja ka dërguar ai grupi, mes të cilëve është edhe një kushëri. Edhe ky ka kryer marrëdhënie me të. Vajza tha se më kanë kërcënuar. Unë i kam parë videot dhe mesazhet kërcënuese. Videot i ka filmuar Artan Kaçorri me grupin e vet, ai i bënte presion vajzës që të shkonte.
Kush është thirrja juaj e fundit?
Së pari, kërkoj të shërohet goca, që të kthehet njeri normal. Së dyti, shteti e ka marrë përsipër të dënojë autorët. Duhet të largohen ato prej vendit, jo unë. Unë dua që ata të largohen, mos t’i shikoj. Jemi të gjithë në gjendje të rëndë shumë.
Ka psikolog në shkollën ku shkonte vajza?
Po, ka. Shkolla ka bërë një mbledhje. Nuk di gjë tjetër. Unë dua drejtësi dhe largimin e këtyre pesë familjeve nga fshati. Unë rri pa bukë, vdes, vetëm që këto familje të largohen.