TIRANË– Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit për dënimin me dy vite burg ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla ditën e sotme.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Ambasada mbështet vendimin e GJKKO ndaj Llallës, teksa thekson se ky vendim tregon se aty ku ka vullnet, reformat japin rezultat.
“Mirëpresim vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Tregon se, atje ku ka vullnet, reformat japin rezultat. Kur një sektor i drejtësisë funksionon siç duhet, askush nuk është mbi ligjin”, shkruan Ambasada.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 2 vite burg ish-kryeprokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Përveç dënimit me burg, GJKKO ka vendosur që Llalla të mos mbajë për 5 vite poste publike. Ndërsa po ashtu sekuestro i është vendosur edhe pasurisë së tij. Vendimi i GJKKO do të shkojë në Apel, i cili ose do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ose do të marrë një vendim të ri.