Të gjithë ruajmë në memorien tonë momente të shkëputura si: një kujtim i qartë na kthen në kohën kur uleshim në prehërin e gjyshes që na tregonte përrallën e radhës. Një imazh i asaj mësueses empatike të gjimnazit që të kuptonte ç’ndjeje pa qenë nevoja të flisje fare, apo ai i dashuri i parë që qante para teje teksa të tregonte për problemet brenda familjes.
Përtej gjithçkaje që na ndodh çdo ditë në jetë, ka disa njerëz dhe kujtime që na kthejnë gjithmonë pas në kohë. Ndonëse për momentin janë dukur të zakonshme dhe të parëndësishme, të tilla kujtime na lidhin me njerëz që për ne do të jenë përgjithmonë “të mirë”. Pse ndodh kjo?
Emocionalisht, ata përfaqësonin atë që ju duhej në një moment kritik
Një shembull i thjeshtë. Një familje bën një aksident të tmerrshëm me makinë. Fatmirësisht të gjithë ishin mirë, por shumë të shokuar. Njeriu i parë që panë ishte një i moshuar që me siguri kishte shtëpinë aty pranë dhe doli për të parë ç’kishte ndodhur. Ai s’tha asgjë, s’bëri asgjë përveçse qëndroi me familjen derisa policia dhe ambulanca erdhi. Por ky imazh, ky njeri për ta ishte një prezencë qetësuese. I moshuari për të aksidentuarit përfaqëson qetësinë dhe sigurinë që gjërat do të shkojnë mirë, për aq kohë sa janë gjallë dhe shohin dikë përballë tyre.
Pra, njerëzit që janë prezent në momentin kur ju keni më shumë nevojë, kanë tendencën të perceptohen si pozitivë dhe ju ndryshojnë këndvështrimin tuaj për botën dhe të tjerët përreth.
Me imazhin e tyre përgjithësoni komplet marrëdhënien
Kujtojmë momentet me gjyshen. Qetësia që zëri dhe sjellja e saj të fal, përkëdheljet apo përkushtimi jua bëjnë që ta sillni gjithmonë në mendje si njeri të mirë, pasi kjo është çfarë ju rezulton nga ajo marrëdhënie. Ose ai i dashuri që dikur prekej për problemet e familjes. Ai mund të ketë qenë njeriu i parë që të ndryshoi pikëpamjen ndaj një burri dhe të mësoi se ndjeshmëria s’është dobësi.
Ata ndoshta përfaqësojnë modelin që do të jesh në jetë
Kthehemi në vitet e para të adoleshencës. Dhoma juaj ishte e mbushur me postera të famshmish që asokohe ishin idhujt tuaj dhe me shumë gjasa, njerëzit më perfektë në botë. Njerëzit që ju frymëzojnë janë ata që do t’i kujtoni gjithnjë si shembujt më të mirë.
Ata ofruan fjalën e duhur në momentin e duhur
Të gjithë e kemi nga një kujtim të veçantë që nuk e harron dot kurrsesi, ndonëse ka qenë vetëm një çast. Një fjali apo këshillë e dhënë në momentin kur ty të duhej më shumë, si për të të çliruar a për t’i dhënë zgjidhje një problemi.
Ai kujtim nga i dashuri i parë mund të përfaqësojë nevojën që ti ke nga partneri aktual tani. Fakti që ti ndjeve nevojën për të kujtuar atë mësuesen e kujdesshme të gjimnazit mund të jetë një shenjë që përfaqëson çfarë mungon në jetën tënde tani. Ne, kurrë nuk e dimë çfarë mund (ose jo) të ndikojë tek të tjerët dhe për sa gjatë, prandaj takti dhe empatia janë të rëndësishme në çdo lloj marrëdhënieje.
Burimi: Psychology Today