TIRANË/ Shpenzimet e bankave për interesa në tremujorin e parë të këtij viti arritën nivelin më të ulët të dekadës së fundit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se këto shpenzime kishin vlerën e 1.76 miliardë lekëve, në rënie me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke qenë se ndërmjetësimi financiar i bankave në Shqipëri mbështetet në masën dërrmuese te depozitat e publikut, ky zë lidhet kryesisht me shpenzimet për interesat e depozitave.
Megjithëse totali i depozitave në fund të tremujorit të parë ishte në rritje vjetore me afërsisht 4%, shpenzimet për interesa vazhduan të bien. Një tendencë e tillë është e lidhur në radhë të parë me ciklin e normave të ulëta të interesit, që, i ka ulur edhe interesat e depozitave në nivelet më të ulëta historike. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars interesi mesatar i depozitave dhe llogarive të individëve në lekë ishte 0.2%, ndërsa në euro 0.03%.
Normat mesatare të interesit janë në nivele pothuajse të njëjta me një vit më parë, ndaj ulja e shpenzimeve për interesa këtë vit nuk shpjegohet edhe aq me rënien e normave: në fakt, në nivelet ku këto norma kanë arritur, hapësirat për ulje të mëtejshme janë minimale, sidomos për euron.
Rënia e shpenzimeve të bankave, sidomos në këto vitet e fundit mund të shpjegohet më shumë me strukturën e depozitave bankare. Individët po shfaqen gjithnjë e më të prirur t’i mbajnë paratë në llogari të hapura, si llogari rrjedhëse apo depozita pa afat. Duke qenë se normat e interesit nuk janë shumë tërheqëse, ata preferojnë të mos i mbyllin paratë në depozita me afat.
Zhvendosja e kursimeve llogarive pa afat ul shpenzimet e bankave për interesa, sepse llogaritë dhe depozitat pa afat kanë norma interesi shumë të ulëta, shumë pranë zeros. Në fund të muajit mars, llogaritë dhe depozitat pa afat përbënin më shumë se 60% të depozitave, nga 55% që përbënin një vit më parë. Veç interesave të ulëta, kjo tendencë u nxit pjesërisht edhe nga pandemia. Kriza shkaktoi një rritje të pasigurisë te individët, që zgjodhën t’i mbanin paratë në llogari likuide, të disponueshme për t’u tërhequr në çdo moment.
Në shumicë, shqiptarët vazhdojnë të preferojnë bankat për të mbajtur kursimet e tyre, por rënia e ndjeshme e depozitave me afat në fakt përfaqëson një ndryshim domethënës nga forma më tradicionale e kursimit, që përgjithësisht ka dominuar dekadat e fundit. Epoka e normave të ulëta të interesit duket se ka ndikuar ndjeshëm në këtë drejtim.
Për bankat kjo tendencë ka edhe dizavantazhet e veta. Dominimi i depozitave pa afat i vendos bankat para mundësisë së tërheqjeve të parave në çdo moment që klienti mund ta ketë të nevojshme, pa asnjë penalitet. Në teori, ky mund të jetë një risk i shtuar për likuiditetin e bankave, por, në praktikë, ka pak gjasa të shkaktojë probleme, të paktën për momentin. Raporti mes kredive dhe depozitave të sektorit bankar është më pak se 47%. Pjesa e mbetur e depozitave është e investuar kryesisht në instrumente financiare likuide. / E.Shehu