LEZHË- Gjykata e Lezhës ka lënë në burg një 61-vjeçar, pasi akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur me probleme të shëndetit mendor. 61-vjeçari Vasel Nilaj, i cili u arrestua në janar të vitit të kaluar, akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur në Lezhë.
Ai u dënua me 4 vite nga gjykatësi Ilir Perdedaj, ndërkohë që prokuroria i kërkoi gjykatës që ta pushonte çështjen, pasi sipas prokurorit Erion Shehaj, nuk ka asnjë element të ngacmimit seksual, duke i “hequr” të gjitha akuzat kundër Nilajt. Ndërkohë që nga Gjykata në përfundim të gjykimit të çështjes deklaroi se ngacmimi seksual nga ana e 61-vjeçarit ishte e provuar.
61-vjeçari Vasel Nilaj fillimisht u arrestua në janar në vitit 2020, pasi prindërit e të miturës kishin ngritur një denoncim për ngacmim seksual. Pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore, doli që 61-vjeçari nuk kishte abuzuar me të, dhe u la në gjendje të lirë nga Gjykata. Pas kësaj Prokuroria e dërgoi çështjen për pushim ndërkohë që Gjykata urdhëroi që kundër 61-vjeçarit të ngrihej akuza për veprën penale “Ngacmim Seksual”. Ndërkohë që në të dyja herët që u arrestua, ai u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.