SHBA-Prokurorët në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që vrasësi i George Floyd të dënohet me 30 vjet burgim.
Sipas BBC ditën e sotme prokurorët thanë se vrasja kishte tronditur të gjithë popullin dhe si e tillë duhet dënuar me burgim në një afat kohor të gjatë edhe pse mbrojtja e cilëson vrasjen si një gabim, i cili është shkaktuar si pasojë e keq-trajnimit të Derek Chauvin.
Ish-oficeri i policisë, Derek Chauvin, në muajin prill, u shpall fajtor për vrasjen dhe kohëzgjatja e dënimit pritet të shpallet me 25 qershor.
Floyd, 46-vjeçar, afrikano-amerikan, është vrarë nga zyrtari i bardhë policor, i cili i ka bërë presion me gju në qafë për më shumë se nëntë minuta gjatë procedurës së arrestimit. Ngjarja ka ndodhur në muajin maj të vitit 2020.
Vdekja e tij ka nxitur protesta kundër racizmit dhe dhunës policore në një mori qytetesh në Shtetet e Bashkuara dhe më larg, si dhe ka shtyrë përpara përpjekjet për reforma policore në nivel kombëtar.
Chauvin dhe tre ish-oficerë të tjerë akuzohen veçmas për shkeljen e të drejtave civile të George Floyd.