Dalin detaje të reja nga dosja hetimore e vrasjes së Kudret Saliajt dhe plagosjes së avokatit Adriatik Cama në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës.
Për këtë krim të dyfishtë janë arrestuar ish-vjehrri i viktimës Mexhit Picari dhe bashkëshortja e 41-vjeçarit Dhurata Saliaj.
Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për masë sigurie duke kërkuar arrest me burg për babë e bijë, ndërsa pretendon se vrasja ka qenë me paramendim.
Babë e bijë kanë bërë deklarata kontradiktore para hetuesve, duke mos qenë koherent në deklarime. Picari ka deklaruar që në lokal ka qenë i ulur në një prej tavolinave i vetëm, përkundër nga deklarimet e Dhuratës, e cila ka deklaruar se ka qenë me të atin në tavolinë. Mexhit Picari është shprehur se kur po qëndronte në tavolinë është futur në lokal Kudreti, i cili sipas Picarit, është afruar dhe e ka sharë. Picari më tej është shprehur se duke ditur sa i dhunshëm është Kudreti, ka nxjerr armën, të cilën ka thënë se e kishte pa karikator.
“E kam mbushur, kam vendosur karikatorin dhe më pas kam qëlluar në drejtim të dhëndrit”, ka thënë ai.
Dhurata Saliaj ka deklaruar se ishte ftuar nga gjykata për të marrë pjesë në seancën gjyqësore. “Në një moment hymë në lokal dhe pamë Kudretin dhe babai e qëlloi”, ka thënë ajo.
Një fakt që sipas hetuesve tregon se janë të pasinqertë dhe se kanë bashkëpunuar për vrasjen e Kudret Saliajt.
Prokuroria ka dhe një detaj tjetër të pasqaruar, nëse ka pasur shënjestër vetëm ish-dhëndrin apo edhe avokatin Adriatik Cama, i cili e mbronte.
Ndërkohë duhet sqaruar se djali i mitur i çiftit nuk ka qenë në lokal në momentin kur vrasja ka ndodhur, por në afërsi të vendit të ngjarjes.
Djali i madh do të deklaronte atë ditë para gjykatës së me cilin nga prindërit do të qëndronte. Nuk ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, është gjendur në një lokal pranë atij ku ka ndodhur ngjarja me një kushëri të viktimës. Ai është afruar pas ngjarjes, por nuk e ka lejuar policia. 16-vjeçari ka deklaruar se nëna e tij ushtronte dhunë ndaj tij dhe motrës e vëllait më të vegjël. Ka folur për marrëdhënie të tensionuara me gjyshin dhe dajën e tij. Por ai do të ripyetet nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe konfliktet në familje mes prindërve të tij që nga 2013 dhe që kishin kulmuar në 2020.