TIRANË– Dy ditë pas vrasjes që tronditi Tiranës, zbardhet dëshmia që ka dhënë pranë grupit hetimor avokati Adriatik Cama, i cili gjithashtu mbeti i plagosur nga plumbat që dolën prej armës së Mexhit Picarit. Sipas Syri.Tv, ndërkohë që ish-prokurori, tashmë me profesion avokat, Adriatik Cama vijon të ndodhet në Spitalin e Traumës ka treguar se nuk e ka parë momentin kur agresori i është afruar.
Avokati në dëshminë e tij paraprake ka thënë se në momentin që është ulur me viktimën, Kudret Saliajn, pas tyre ka ardhur dhe psikologja e caktuar nga gjykata për të bërë një raport për çiftin.
‘Teksa po dëgjonin raportin psikologjik për fëmijët kam dëgjuar plumbat. Kur kam parë Kudret Saliaj të vrarë dhe psikologes që i ka rënë të fikët,’- ka thënë Cama në dëshminë e tij, ndërkohë që as vetë nuk e ka kuptuar që është ploagosur në shpatull. Kudret Salija u qëllua paraditen e të premtes, nga ish-vjehrri i tij Mexhit Picari, pas konflikteve se viktima i keqtrajtonte vajzën.
Çifti mësohet se ishin në prag divorci dhe pikërisht ditën e vrasjes kishin seancën e pestë, ku pritej të lexohej akti se kush do t’i mbante fëmijët, e gjyqtarja Irena Plaku do pyeste djalin e madh të çiftit se me kë dëshironte që të rrinte.