Detaje të reja dalin në skenë nga vrasja e 25-vjeçarit Fridman Xhaferraj i cili u gjet i vrarë në rezervuarin e Gjançit në Korçë. Sipas burimeve nga policia bëhet me dije se janë 2 pista hetimi, ajo kryesorja e prishjeve të pazareve të drogës, dhe nuk përjashtohet as pista e vrasjes për motive banale. Autorët të cilët dyshohet se e kanë vrarë janë identifikuar si Lulëzim Spahija dhe K.B. Xhaferraj ka qenë i shoqëruar me disa persona, ndërsa dyshohet se është vrarë më tepër se një javë më parë.
Sipas burimeve viktima është gjetur i lidhur nga duart në momentin që ka dalë në sipërfaqe të rezervuarit të Gjancit. Në bazë të informacioneve ai njihet si person problematik nga policia e Fierit dhe Lushnjës, si dhe përdorues i lëndëve narkotike.
25-vjeçari, Fridman Xhaferraj kishte thyer arrestin shtëpiak, pasi në datën 21 maj ishte liruar nga dhomat e paraburgimit duke u lënë në arrest shtëpie në fshatin Plug të Lushnjës.
Xhaferraj ishte i akuzuar për zjarrvënie të pronës së tjetrit, përfshirë 3 makina pranë një qendre tregtare. Burime të sigurta thanë se në trupin e 25-vjeçarit janë konstatuar shenja të shumta dhune në trup dhe kokë, ç’ka tregon se 25-vjeçari para se të hidhej në ujërat e Rezervuarit të Gjançit është dhunuar deri në vdekje diku tjetër.