Greqi/ Autori i vrasjes brutale të një parukieri 45-vjeçar në Greqi është në prangat e Policisë. Trupi i viktimës u gjet i djegur, i lidhur në një shtizë dhe me kapuç në kokë në zonën e Kallitheas, në Katerini.
Sipas informacioneve, autori 58 vjeçar ka rrëfyer në polici veprimin e tij makabër.
Sipas CNN Greece, e gjitha ndodhi të martën e kaluar pasdite, ku Departamenti i Policisë në Katerini mori një telefonatë nga banorët e Kallitheas, të cilët gjetën trupin e burrit pas varrezave. Një kalimtar që lokalizoi trupin menjëherë thirri Departamentin e Policisë Katerini.
Babai i viktimës gjithashtu foli për ANT1 ku deklaroi se është i pikëlluar nga humbja dhe shpreson në drejtësi.
“Shpresoj që autoritetet të bëjnë atë që duhet të bëjnë dhe të ndëshkohen siç e meritojnë“-tha ai.
Sipas policisë, siç rezulton nga hetimi mjeko – ligjor, njeriu i pafat, i cili punonte si parukier, ka një plagë në kokë nga një armë gjahu, nga e cila vlerësohet se ai vdiq. Siç u bë e njohur, kjo plagë doli të ishte fatale, e ndjekur nga djegia e trupit të pajetë.