Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Fier, pasi u kap me dy mina me telekomandë në makinë, me qëllimin për t’i shitur.
Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se është arrestuar Elton Jata, banues në Pezë, të cilit në mjetin tip “Benz” me të cilin po udhëtonte, iu gjetën 2 elektrodetonatorë të montuar në brendësi të lëndës plasëse të lidhur me celularë, të gatshme për shpërthim të kontrolluar.
Njoftimi i policisë:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”. Goditet një rast i trafikimit të minave me telekomandë.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit e lëndëve plasëse, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, finalizuan me sukses operacion policor të koduar “Porosia”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
E. J., 33 vjeç, banues në Pezë, Tiranë.
Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet policore, në vendin e quajtur “Vija e Ngjalës”, në mjetin tip “Benz” me të cilin ky shtetas udhëtonte, iu gjetën 2 elektrodetonatorë të montuar në brendësi të lëndës plasëse të lidhur me celularë, të gatshme për shpërthim të kontrolluar, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon operacioni për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive'”, njofton policia.