ITALI – Euro 2020 nis sot ndeshjet e treta që mbyllin fazën në grupe të turneut dhe tani fillon koha e llogarive për secilën skuadër. Të gjithë grupet kanë krijuar pas dy ndeshjeve të para një renditje dhe një ide se kush mund të vazhdojë më tej, por deri tani janë vetëm tre skuadra të kualifikuara: Italia, Holanda dhe Belgjika. Pjesa tjetër janë të gjithë në luftë për të siguruar një nga dy vendet e para apo për të shpresuar të jenë mes katër të tretave më të mira.
Por kush do t’i jepte lamtumirën Europianit në situatën aktuale në grupe, nëse ajo mbetet e pandryshuar? Ekipet që aktualisht mbajnë vendet e katërta dhe që në teori eliminohen direkt janë Turqia, Danimarka, Maqedonia e Veriut, Skocia, Polonia dhe Hungaria.
Ndërkohë, si katër të tretat më të mira të grupeve do të vazhdonin më tej garën Portugalia, Austria, Finlanda dhe Spanja. Kështu, në situatën aktuale të grupeve, të tretat që nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme apo nuk kanë golavarazhin e duhur, janë nënkampionët e Botës të Kroacisë si dhe Zvicra e Shaqirit & Co.