HAGË/ Administratorja e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, ka thënë se janë duke bërë të gjitha përgatitjet për lejimin e vizitave të familjarëve për ish-krerët e UÇK-së të cilët ndodhen në paraburgim.
Donlon tha se duke filluar nga 15 Korriku do të fillojë shqyrtimi i kërkesave për vizita familjare. Këtë deklaratë ajo e bëri në seancën e tretë për ecurinë e rastit ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.
“Sa i takon kufizimeve sa i përket COVID-19, në konsultim me mjekun ne po fillojmë të heqim një pjesë të kufizimeve. Nga data 15 korrik ne mund të lejojmë vizita fizike të familjarëve në qendrën e paraburgimit”, ka deklaruar Donloni.
Deri tani familjarët kanë kontaktuar me të ndaluari vetëm nëpërmjet videotelefonatave por nuk kanë patur mundësi ti takojnë apo vizitojnë nga afër ata.