ELBASAN– Prokuroria e rrethit Gjyqësor të Elbasanit ka mbyllur hetimet për sulmin ndaj eskortës së kryeministrit Edi Rama më 13 qershor të 2019-ës në Librazhd. Prokuroria ka mbyllur hetimin dhe ka marrë si të pandehur krerët e degëve të PD në Elbasan dhe ish-deputetin Aurel Bylykbashi. Ata akuzohen për “Organizim, pjesëmarrjen në grumbullime, manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Pengim i subjekteve zgjedhore”.
Të pandehur janë marrë: Bujar Vreto, kryetar i PD në Librazhd, Aurel Bylykbashi ish-deputet i PD në Elbasan, Arjan Karriqi kryetar i PD në Prrenjas, dy sekretarët e PD, Leonard Ozuni dhe Erlind Gurra si dhe dy simpatizantë të PD, Bujar Kojku e Dashamir Boja.
Çfarë ndodhi më 13 qershor 2019?
Ngjarja ndodhi më 13 qershor të 2019-ës, në hyrje të Librazhdit, ku eskorta e Ramës u sulmua me mjete të forta. Prokuroria nisi menjëherë hetimin, ndërsa të pandehurit e cilësojnë procesin si një hakmarrje politike nga ana e kryeministrit Edi Rama.