TIRANË– Teksa prej ditësh vendi ynë ndodhet nën pushtimin e të nxehtit afrikan, ditën e sotme është vënë re një ulje e temperaturave.
Sipas sinoptikanes Lajda Porja, kjo ulje do të vijojë edhe përgjatë ditës së nesërme. Në një lidhje për ‘News24’, Porja tha se për shkak të lagështisë në ajër ndihet edhe i nxehti.
Porja tha se deri më 6-7 korrik do të kemi një mot të qëndrueshëm, ndërsa nuk përjashtoi shifrat lokal në zonat veriore dhe verilindore apo dhe breshëri. Sinoptikania nënvizoi faktin se me forcimin e erës rritet edhe rreziku për favorizimin e zjarreve.
“Tërheqja është graduale, por temperaturat e ajrit kanë rënë goxha në mëngjes. Në shumë zona gjatë natës ishte 30 gradë. Dje dhe pardje u shënua 42 gradë në qarkun e Beratit. Në disa zona do të shkojë edhe 34-36 gradë celsius. Në një pjesë të mirë të qyteteve ndihet goxha i nxehti për shkak të lagështisë së ajrit. Është ndjerë një forcim ere. Por me fuqizimin e erës, rritet dhe rreziku i zjarreve në pyje. Dita e diel në veriperëndim zona e Velipojës do të jetë 32-33 gradë, ndërsa Gjiri i Lalëzit do të jetë 34 gradë, dhe Vlora po ashtu. Në Sarandë dhe Ksamil do jenë deri në 36 gradë. Do të presim ulje në ditët e para të korrikut. Reshjet do të shfaqen në zonat e izoluara, Veri-Verilindje të vendit. Nuk përjashtohet mundësia e breshrit. Deri në datën 6-7 korrik do të kemi një mot të qëndrueshëm”, tha Porja.