GREQI- Truproja i milionerit amerikan Dan Bilzerian, Nikos Aravantinos ka folur pas dhunimit që i bënë dy ditë më parë në Greqi. Protothema shkruan se ai do t’i nënshtrohet operacionit, për shkak të plagëve të shumta që ka marrë. Ai është shprehur se kurrë nuk është dhunuar në atë mënyrë, duke shtuar se ishte me fat që nuk e goditën shumë në pjesën e sipërme të kokës.
“Unë jam me fat që jam gjallë, jam duke folur me ju, unë kurrë nuk kam ngrënë dru të tillë. Ata më goditën në pjesën e pasme të kokës dhe unë jam me fat që nuk më goditën një pikë më lart”,tha ai.
Por çfarë ndodhi?
Historia filloi kur truproja u thirr për të ndërhyrë në momentin kur grupi prej 15 vetash bëri bujë jashtë një hoteli, pranë barit të plazhit Tropicana. Ata kishin konsumuar sasi të madhe alkooli dhe po ngacmonin të ftuarit e hotelit. Nikos Aravantinos u përpoq të qetësonte situatën, por ajo u përshkallëzua kur ata filluan ta sulmojnë atë me gjithçka që mund të gjenin para tyre, madje edhe me gurë.
Sulmi nuk ndaloi edhe kur truproja ra pa ndjenja dhe u mbulua me gjak. Punonjësit e hotelit që dëgjuan zhurmën menjëherë lajmëruan policinë, ndërsa grupi që e dhunoi u largua nga vendi i ngjarjes për të shmangur arrestimin. Ai u transportua në Qendrën Shëndetësore dhe dje duhej të transportohej me helikopter në një spital privat në Athinë.