Lezhë/ Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka përfunduar në dyert e Prokurorisë së Lezhës, pasi është kallëzuar penalisht nga tre efektivë të Policisë së Shtetit. Të tre uniformat blu pretendojnë se Ndreu i ka penguar që të ushtrojnë detyrën e tyre në përputhje me ligjin.
Burime për “Panorama” kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes në zonën e Shëngjinit, jashtë ambienteve të një hoteli në vijën e parë të bregdetit. Në përputhje me ligjin dhe urdhërat e lëshuar nga Komiteti i Ekspertëve, punonjësit e Policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit për të respektuar orën policore. Por kanë hasur rezistencë, ndaj në ndihmë të Patrullës kanë shkuar edhe forcat “Shqiponja”, të cilët në debat e sipër kanë tentuar të shoqërojnë pronarin e hotelit. Pikërisht në këtë moment është shfaqur edhe Pjerin Ndreu, i cili i ka kërkuar që të largohej me frazën: Ligjin e bëj unë…
Debati ka vijuar edhe për pak dhe si përfundim efektivët janë detyruar që të largohen por hakmarrja e Ndreut nuk është ndalur me kaq. Një ditë më pas, ndaj dy efektivëve të patrullës së Shëngjinit ka nisur hetim disiplinor nga eprorët e tyre për “Shkelje të rëndë të atributeve e kompetencave të Policisë”, me argumentin se në hotelin ku kishte muzikë në shkelje të ligjit, po zhvillohej një aktivitet i Bashkisë Lezhë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të huaj.
Por edhe efektivët nuk kanë lejuar ngjarjen që të kalojë pa kundërpërgjigje duke nisur një proces gjyqësor me kryebashkiakun, i cili duket se ka harruar që Policia e Shtetit është institucion më vetë, jo i varuar nga Bashkia dhe se urdhërat i merr vetëm nga ligji.
KALLËZIMI I EFEKTIVIT TË POLICISË
Aktualisht punoj si punonjës Policie pranë Drejtorisë Vendorë Lezhë, oficer i Patrullës së Përgjithshme, Stacioni i Policisë Shëngjin. Mbrëmë, më datë 24.06.2021, rreth orës 22:00, kam marrë shërbimin. Kam qenë duke patrulluar me kolegun tim. Kemi qenë në makinë, me mjetin e Policisë, në shëtitoren e re.
Ne kemi komunikuar duke i thënë se arsyeja se pse kemi ardhur këtu është se ti ke shkelur aktin normativ të qeverisë për ndalimin e muzikës, e cila duhej të ishte fikur në orën 22:00 dhe se kishte një numër të lartë njerëzish brenda në lokal, në verandë. Ai na ka thënë se po e bezdisnim, se në lokal kishte ambasador, kryetarin e bashkisë, “kush jeni ju që më fikni muzikën?”
Pas këtij komunikimi është tërhequr dhe është futur në lokal dhe muzika ka vazhduar. Ne kemi njoftuar menjëherë në radio për problemin sallën operative Lezhë 50, sallën operative Shëngjin 70, shefin e Stacionit Shëngjin 396 dhe shefin e Komisariatit 395, duke iu thënë se shtetasi V.Gj. nuk e fik muzikën dhe kërkojmë ndihmë, forca të tjera. Pas pak ka ardhur një patrullë “Shqiponja”. Jemi afruar të dy patrullat te lokali, kemi marrë kontakt me pronarin V.Gj. dhe i kemi bërë të ditur se do ta shoqëronim në Komisariat.
Në këtë moment ka ndërhyrë duke na penguar në punën tonë kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, si dhe stafi i lokalit, kamerierët, të cilët na kanë kundërshtuar me forcë.
Kur ne po përpiqeshim për të shoqëruar në Komisariat V.Gj., ata na kanë mbajtur për krahu dhe na kanë shtyrë duke na penguar që ta shoqëronim. Meqenëse përballë nesh u fut kryetari i Bashkisë, i cili na tha se: “Ligjet i bëj unë dhe i vendos unë…”, për të mos krijuar një situatë më të rëndë, ne jemi tërhequr duke njoftuar me radio sallën operative dhe eprorët tanë. Ata nuk ndërmorën asnjë veprim dhe na thanë në telefon: “Lëreni mos u merrni më, largohuni prej aty”. Jemi larguar dhe kemi shkuar menjëherë te Stacioni i Policisë, kemi përpiluar raportin e shërbimit për ngjarjen, si dhe procesverbalin mbi kundërvajtjen administrative, të ndotjes akustike ndaj V.Gj. Kërkoj që të gjithë personat që na kanë kundërshtuar dhe na kanë penguar në punën tonë, të mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet që kanë kryer ndaj meje dhe kolegëve të mi.