TIRANË– Familja Haklaj do të padisë në SPAK Sali Berishën për akuzën e vrasjes së Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj! Pas 12 vitesh në azil politik në Suedi, Aishe Haklaj, motra e madhe e Haklajve është rikthyer për pak orë në Shqipëri pikërisht për këtë qëllim. Në një interviste ekskluzive për Report TV, përballë gazetarit Denis Minga, ajo ka rrëfyer arsyet pse familja e saj ka vendosur t’i drejtohet SPAK-ut. Ajo që e ka shtyrë është drejtësia e re, për të cilën tha se ka besim, e ndërsa thotë se nëse nuk hapet çështja, do e çojë deri në gjykatat ndërkombëtare. Që Berisha është autor i 4 vrasjeve, Haklaj thotë se ka prova dhe dëshmitarë.
“Po. Unë kam ardhur që të dërgoj denoncimin e familjes sime në drejtësinë e re shqiptare, e cila quhet SPAK. Denoncim zyrtar, ku kam bërë edhe një prokurë, kemi gjetur edhe dy avokatë dhe do t’i drejtohemi SPAK-ut. Për vrasjet e familjarëve tanë. Po, për vrasjet e katër vëllezërve. (…) Kemi shumë fakte, shumë prova, shumë dëshmi. Jemi dëshmitarë të gjallë të krimeve të Saliut, sepse nuk ma nxjerr goja të them të Sali Berishës. Ne kemi besim tani dhe si rezultat i këtij besimi kam ardhur unë tani. Sepse më përpara drejtësia ka qenë e krimbur pikërisht nga ai njeri. (..) Ne nuk do të tërhiqemi asnjëherë. Edhe kur jemi paraqitur në Suedi, shteti suedez na dha një avokat shumë të zotin, shumë dinjitoz. Dhe edhe atëherë i kemi thënë atij njeriu që ne duam që atë njeri ta çojmë në gjykatat ndërkombëtare. Po, do të drejtohemi edhe andej. Nuk do të pushojmë së kërkuari të drejtën e gjakut të vëllezërve tanë”, ka thënë Haklaj.
“Kam qenë nën survejim, kam jetuar në Tiranë nga viti 2005 kur janë larguar familjarët e mi deri në vitin 2009, në korrikun e vitit 2009. 12 vite bëhen tani dhe unë kam qenë e survejuar. Po, ishte Berisha në pushtet, ndaj dhe familjarët e mi, me riardhjen e Berishës në pushtet ishin të detyruar të largoheshin sepse ata e dinin që ai do t’i lante duart me familjen tonë dhe do të bënte atë që ai bëri në të vërtetë. Unë isha e ndjekur në atë kohë hap pas hapi, e survejuar hap pas hapi. Nga agjentët e tij. Agjentët shtetërorë të tij. Po, punonjës shteti”, ka deklaruar ajo.
Nuk ka lënë pa komentuar edhe shpalljen e Berishës ‘Non Grata’ nga SHBA, duke thënë se e dinte që “do i vinte dita një ditë”. Megjithatë, përtej zemërimit që ka ndaj Sali Berishës, Aishe Haklaj thotë se ndaj tij, kërkojnë vetëm drejtësi, dhe kurresesi hakmarrje. Teksa ka folur për një dokument që i kanë dërguar SHBA-së në 2006 që mund të jetë marrë për bazë nga DASH, për futjen e Berishës në listën e zezë, vajza e madhe e familjes Haklaj tha se është gati të dëshmojë që ish-kryeministri është jo vetëm i korruptuar, por edhe vrasës.
Tragjeditë që ka përjetuar në të kaluarën, i ka hedhur pas krahëve, për të jetuar një të tashmë të qetë në Suedi, që është bërë atdheu i saj i dytë, megjithatë intervistën e thënë se “nuk ka frikë nga vdekja”… /Report Tv/
Intervista e plotë: