TIRANË– Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj do të vijojë mandatin pavarësisht dënimit të marrë në Greqi! Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot që Qerimaj të mbajë postin pasi në Shqipëri, sipas dispozitave ligjore për kundravajtjen do të dënohej vetëm me gjobë. Gjithashtu në favor të tij është shtuar dhe fakti që kurrë nuk ka qenë i ndaluar nga autoritetet greke.
“Në rastin kur dënimet penale janë kryer në Shqipëri, KQZ bën vetë vlerësimin duke lexuar aktin e vendimit. Në rastet kur vendimi është marrë në vende të tjera, të huaja, KQZ nuk e ka mundësinë që ta bëjë vlerësimin. Ndaj dhe i drejtohet Prokurorisë dhe ky organ i thotë KQZ sa dhe si qëndron neni 2. Pra ai na thotë çfarë vepre penale ka kryer dhe na thotë nëse është apo jo vepër penale. Nuk përfshihet në kushtet e ndalimit. Vazhdon mandatin,”-tha kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.
Në fillim të seancës së sotme, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso kërkoi ndërprerjen e mandatit të tij, ndërsa avokati i kryebashkiakut Besnik Stroka publikoi të dhëna të tjera lidhur me klientin e tij. Në fjalën e tij, ai pretendoi se Ismailaj kishte pësuar dëme të mëdha nga përplasja në Greqi, aq sa kishte përfunduar në gjendje kome.
Po përse akuzohet kryebashkiaku i Mallakastrës?
Në vitin 1999, kur ai ishte emigrant në Greqi, Ismailaj punonte si punëtor ndërtimi, ka patur një problem me pronarin e firmës pasi ky i fundit nuk e kishte paguar. Gjatë sherrit, pronari grek ishte rrëzuar dhe për pasojë, policia arrestoi Ismailajn, i cili u dënua me 3 vite burg. Dënimi nuk ishte deklaruar në formularin për dekriminalizimin,ndaj dhe u denoncua nga PD si subjekt i dekriminalizimit. Pas verifikimeve të bëra nga Prokuroria e Përgjithshme, rezultoi se dënimi qëndronte por në Shqipëri do të ndëshkohej vetëm me gjobë.