Ndeshja Itali-Spanjë luhet nesër dhe Mancini nuk duket aspak i shqetësuar për këtë gjysmëfinale të Euro 2020, që do të mbahet në Wembley në 21.00.
Immobile mori një sërë kritikash në ndeshjen e fundit ndaj dhe trajneri u shpreh se më të kritikuarit shpesh zgjidhin ndeshje dhe turne.
“Do të jetë e vështirë. Spanja është e ndryshme nga Belgjika. Spanja ka qenë e jashtëzakonshme për vite me radhë. Tani ka pasur ndryshime dhe ata janë më të rinj. Kanë edhe një trajner të mirë dhe lojtarë shumë të mirë. Nuk do të jetë aq e thjeshtë: do të duhet të luajmë një ndeshje të shkëlqyeshme.
Është e padrejtë që nuk ka tifozë nga Italia dhe Spanja. Sa u përket kritikave për Immobilen, ai është ndër ata që kanë shënuar më shumë në vitet e fundit. Dhe në një Kupë Bote ose një Kampionat Evropian, më i kritikuari zgjidh shpesh ndeshjen dhe turneun.” – u shpreh tekniku italian.
Mancini u tregua diskret rreth formacionit, por la të nënkuptohej se në qendër të mbrojtjes do të jetë Chiellini dhe Bonucci, ndërsa për çdo të papritur ai ka edhe Acerbin me Bastonin.
Duket se dyshimi i vetëm është ai mes Chiesas dhe Berardit, me juventinin që duket në pole position.
Bonucci u shpreh se Italia kërkon finalen edhe për Spinazzolan, që u operua në Finlandë.