Teksa e gjithë vëmendja është përqendruar te turizmi, pasi vijmë nga dy vite pandemi globale e shkaktuar nga koronavirusi, krejt e kundërta ndodh për Bashkinë e Kavajës, duke abuzuar hapur me detyrën. Bëhet fjalë për landfillin ku çdo ditë depozitohen 40 ton mbetje, i cili është ngritur në fshatin Bago, mes Spilles dhe Plazhit të Gjeneralit. Në këtë fshat duket nga larg tymi i djegies së mbetjeve urbane, por edhe era e fortë është shumë shqetësuese për turistët dhe banorët e zonës.
Situata në fjalë ka shkaktuar një katastrofë mjedisore në Plazhin e Gjeneralit dhe Spillesë, ndërkohë që efektivët e Task-Forcës nuk e kanë parë këtë katastrofë mjedisore. Një krim mjedisor me përmasa të tilla, duhet të shoqërohej me një akuzë konkrete ndaj autoriteteve lokale të Bashkisë së Kavajës, pasi këto kanë kosto te qytetarët, aq më tepër në mes të sezonit turistik.
Ligji parashikon se të gjitha mbetjet duhet të seleksionohen, në mënyrë që të ndahen në të riciklueshme dhe trajtim të posaçëm, dhe në këtë rast Policia duhet të ndërhyjë, duke ndëshkuar me procedime penale ata që e shkelin ligjin apo nuk e zbatojnë atë. Bashkia e Kavajës duket e pashqetësuar për respektimin e ligjit, duke konsumuar një krim mjedisor që është vepër penale e dënueshme, që është vepër penale e dënueshme që shkon deri në 7 vite burg. Nga ana tjetër edhe policia duket e painteresuar për këtë çështje, e cila në misionin e saj ka parandalimin e krimit, siç është krimi mjedisor. Hedhja e mbetjeve në këto vendgrumbullime të paligjshme, jo vetëm që largon turistët, apo shkakton dëme në florën dhe faunën e Kavajës, por vendos në rrezik edhe jetën e banorëve.
Por, pavarësisht fakteve të publikuara, Bashkia e Kavajës e ka mohuar ekzistencën e landifilleve në territorin e saj. Sipas zëvendëskryetarit të Bashkisë, Guxim Kola theksoi se Kavaja nuk ka vendgrumbullim të mbetjeve urbane. Mes të tjerash ai theksoi se Bashkia bën monitorimin e territorit që mos të ketë depozitime të këtyre mbetjeve.
‘Ne nuk kemi vend depozitimi të mbetjeve urbane në zonën e Kavajës. Në dijeninë time nuk kemi, jemi gjithmonë në monitorim të zonave që të mos kemi depozitime jo vetëm nga bashkia por as nga persona privat. Nuk kemi si të jemi në dijeni kur për ne nuk ekziston dhe s’ka si të ekzistojë një landfill i tillë,’ u shpreh ai.