Krujë/ 51-vjeçarit, Artan Ismalaj i janë vënë prangat në spital pasi ditën e djeshme vrau gruan e tij, Klarita Ismalaj me thikë. Ismalaja ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore, sepse pasi ekzekutoi bashkëshorten e tij për motive ende të paqarta, tentoi të vriste veten.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. I., 51 vjeç, banues në Tiranë, (në ambientet e spitalit), pasi ditën e djeshme, në Bubq, Krujë, ka goditur me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij, shtetasen K. I., e cila ndërroi jetë”, njofton Policia.
51-vjeçari i shkaktoi shumë plagë bashkëshortes. Çifti që ishin prindër të dy djemve, ku më i madhi është 23-vjeç, jetonin prej vitesh në Tiranë. 51-vjeçari, Artan Ismalaja është me profesion kameraman dhe ka një biznes pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në kryeqytet.
Çifti jetonte prej vitesh në Tiranë me dy djemtë dhe nënën e autorit dhe prej 3 muajsh çifti kishte pasur konflikte te vazhdueshme ku si motiv kishin dyshimet për tradhtinë bashkëshortore.
Ditën e djeshme çifti Ismalaja ishin në Krujë për shitjen e një shtëpie, ndërsa gjatë rrugës kanë bërë debat mbi temën e tradhtisë dhe burri ka sulmuar me thikë gruan, duke e qëlluar disa herë për vdekje. Vrasja ndodhi në makinën në pronësi të autorit, ndërkohë që ky i fundit me thikë ka qëlluar disa herë veten. Ka qenë roja i magazinës ku ndodhi ngjarja ai që ka njoftuar policinë pas skenës që pa brenda makinës.