SPAK ka përfunduar hetimet për Talo Çelën dhe grupin e tij lidhur me 2 vrasje të bujshme në Durrës atë të 2 vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia dhe vrasjen e të rinjve Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia. Çështja për vrasjet e ndodhura në brenda një harku kohor prej dy javësh nga njëra tjetra, është dërguar për gjykim në GJKKO.
Të akuzuar për këtë vrasje janë Talo Çela (koka e grupit), Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva. Sipas SPAK ndaj grupit, rëndon edhe akuza për “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentative, kundrejt Irfan Hazizit.
Pas atentatit të dy vëllezërve prokuroria bashkoi dy dosjet, të Haxhiajve e ndodhur më më 27 prill 2020 dhe te dy te rinjve që u ekzekutuan në 2 mars 2020. Vëllezërit Haxhia kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia. Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan më pak se 1 km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë. Talo Çela me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë, deklaruar i mosgjetur me vendim të organit të proçedues, akuzohet si koka e grupit kriminal.
Enver Diva dhe Besian Xhixha akuzohen se kanë siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, ndërsa kanë qenë të parët e kontraktuar për vrasjen e tyre nga Nuredin Dumani dhe Talo Cela. Autorë të vrasjes së vëllezërve Haxhiaj nuk ishin Besjan Xhixha dhe Enver Diva, pasi ky i fundit rezultoi me Covid dhe prandaj për vrasjen u angazhuan Altin Ndoci dhe Klevis Alla. Ishte ky i fundit që ka zbardhur skemën. Nuredin Dumani u ka dhënë 2 vrasësve të punësuar një kapar prej 5 mijë euro, por duke qenë se njëri prej tyre u infektua me COVID, u anulua si plan, për të kaluar te plani B. U vendos që vrasja të kryhet nga Nuredin Dumani, Talo Çela dhe Altin Ndoci dhe Klevis Alla.
Klevis Alla ka zbuluar edhe se si kanë lindur konfliktet mes Talo Çelës dhe Besmir Haxhiajt. Sipas Allës, Nuredin Dumani kishte deklaruar se “Besmirit i kishte hipur vetja në qejf dhe po nxjerr emrat e shokëve”. Po kështu, sipas tij, ato kanë pasur edhe një problem në Elbasan, por që nuk dinte detaje të tjera. Nuredin Dumani i ka thënë Klevis Allës se Besmirit i kishin humbur një sasi lekësh, por që nuk e dinte se nga buronin këto lekë. Dyshimet janë se bëhet fjalë për paratë e grabitura në Rinas ku Nuredin Dumani ka qenë një nga autorët. Nuredin Dumani ka marrë në shtëpinë e tij Klevis Allën dhe i ka kërkuar që të shoqërojë Besjan Xhixhën dhe Enver Diva te shtëpia e Besmirë Haxhisë, viktimës në Spitallë. Pasi kanë parë vendit, Besjan Xhixha dhe Enver Diva janë rikthyer sërish në shtëpinë e Nuredin Dumanit dhe kanë deklaruar “Vrasja bëhet, vendi ishte i mirë, por na mungon vetëm shoferi”. Nga sa mësohet, ato kanë kërkuar që shofer të ishte Klevis Alla sepse sipas tyre dinte të manovronte shumë mirë me mjetin. Bashkëpunëtori i drejtësisë rrëfeu si i njëjti grup kreu edhe vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit.