ANGLI – Në UEFA kanë mbërritur tri akuza ndaj Anglisë, pas ndeshjes gjysmëfinale të “Euro2020” me Danimarkën, të fituar 2-1 nga “Tri Luanët”.
Një tifoz me një pajisje me reze lazer, ka shkëlqyer në sytë e portierit danez Kasper Schmeichel, pak para se Harry Kane të ekzekutonte penalltinë. ‘Gardiani’ i Leicester arriti të presë goditjen e shpejtë, përpara se Kane të godiste për së dyti dhe të shënonte.
Në UEFA, kanë mbërritur akuza për Anglinë edhe për fërshëllimat dhe brohoritjet e tifozëve kur ekzekutohej himni kombëtar i Danimarkës, si dhe për ‘lëshimin e fishekzjarrëve’ gjatë ndeshjes.
“Çështjet do të merret nga Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA (CEDB) në kohën e duhur,”– thuhet në një deklaratë të UEFA-s për shtypin. Një ndëshkim financiar për Federatën Angleze të Futbollit, është sanksioni i pritur.
Por pas ndeshjes, u shfaqën pamjet, që tregonin një lazer të gjelbër, që dridhej në fytyrën e portierit danez, nga një tifoz, që dukej sikur donte ta shpërqendronte Kasper Schmeichel të vendosur përballë sulmuesit anglez Harry Kane.