TIRANË– Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar datën për shqyrtimin e çështjes ndaj Fatmir Mediut. Seanca për shqyrtimin e dosjes është vendosur më 27 korrik me gjyqtar Erion Çelën.
Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë për rihapjen e çështjes ndaj ish ministrit te mbrojtjes Fatmir Mediu. Gjykata e Lartë vendosi që t’ia rikthejë aktet e kësaj çështje Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Përse akuzohet Mediu?
15 marsi shënon tragjedinë e Gërdecit, ku në fabrikën e demontimit të armëve humbën jetën 26 persona, rreth 300 të tjerë u plagosën, ndërkohë që dëmet materiale ishin të panumërta. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë ndërkohë që Fatmir Mediu, në atë kohë ministër i Mbrojtjes i shpëtoi gjykimit pasi kishte mandatin e deputetit. Mihal Delijorgji, president i shoqërisë Albademi, Ylli Pinari, drejtor i MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës Albademi, ishte treshja e të pandehurve kryesorë për Tragjedinë e Gërdecit.