Operacion antikorrupsion nga SPAK, arrestohen 8 persona dhe një në arrest shtëpie, mes tyre një zyrtar i Ministrisë së Brendshme. Operacioni është bërë në lidhje me abuzimin me tenderin e uniformave të policisë me vlerë 27 milionë euro, ku mes të arrestuarve është edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila ishte në detyrë deri 1 muaj më parë.
Tenderi për uniformat e policisë u denoncua më 3 gusht 2020 nga deputetët Myslim Murrizi dhe Halit Valteri, të cilët e kallëzuan në SPAK tenderin prej 27 milionë eurosh.
Hetimet kanë nisur për disa tendera të dyshimte nga Agjencia e Përqendruar në Ministrinë e Brendshme. Më kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit ka lëshuar 8 urdhër-arreste dhe një ‘arrest shtëpie’.
Operacioni i SPAK vjen gati një vit pasi deputetët e opozitës, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri kallëzuan në SPAK, më 3 gusht të 2020, tenderin e Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë. Ata pretenduan se tenderi i ishte dhënë një kompanie gërmimesh që nuk kishte lidhje me rrobaqepësinë, duke i kërkuar SPAK që të hetojë.