Vjedhje ndaj qytetarëve shqiptarë dhe atyre amerikanë’ e ka konsideruar ambasadorja e SHBA, Yuri Kim abuzimin me tenderat, në një reagim që vjen pas operacionit anti-korrupsion të SPAK në Ministrinë e Brendshme.
Me një postim në Twitter, teksa përgëzon SPAK për punën, Kim shkruan se abuzimi me prokurimet publike është krim, njësoj si të vjedhësh nga të gjithë qytetarët ‘përfshirë ata amerikanë taksat e të cilëve sigurojnë ndihmën e SHBA për Shqipërinë’.
“Mirë të shohësh më shumë veprime të SPAK kundër korrupsionit. Abuzimi ose manipulimi i proceseve të prokurimit publik është njëlloj si të vjedhësh nga të gjithë qytetarët (përfshirë shtetasit amerikanë taksat e të cilëve sigurojnë ndihmën e SHBA për Shqipërinë) për të majmur kuletat e vetes ose të ‘miqve’ të tyre. Është një krim”, shkruan Kim.
SPAK ‘mësyu’ sot në Ministrinë e Brendshme, ku u arrestuan 8 zyrtarë e ish-zyrtarë, ndërsa u la në ‘arrest shtëpie’ një tjetër, të akuzuar se kanë abuzuar në lidhje me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit, me vlerë 2.8 miliardë lekë.
Mes personave të arrestuarve është edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e cila iu shkarkua nga kjo detyrë më 2 korrik, vetëm një javë më parë.
SPAK ‘zbërtheu’ skemën e abuzimit me tenderin nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, ndërsa rezultoi se Naqellari ka ndryshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit. Sipas përgjimeve të SPAK, këto veprime të paligjshme, Naqellari i ka kryer në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të arrestuar.
Në pranga ranë anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj. Ndërkohë është lënë në ‘arrest shtëpie’ Anisa Bogdani, e cila ishte anëtare e njësisë së prokurimit.