TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ministrat e kabinetit të tij dhe drejtues institucionesh për paketën e re të Prokurimit Publik.
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se 70% e tenderëve të bërë kanë pasur probleme, ku pjesa më e madhe ka pasur probleme sa i takon hartimit të kritereve. Atë që sheh me problematikë, Rama tha se është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve nga ana e Agjencia e Prokurimet
“Paketa e re adreson domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve në këtë proces, për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet e konstatuara, prandaj dua që të bëj me shumë pak fjalë në mënyrë të përmbledhur një bilanc të cilin do t’ju inkurajoja që ta shikoni në mënyrë të specifikuar sipas fushave sepse ka të dhëna të rëndësishme. Janë asistuar 936 procedura të publikuara nga këto institucione, ndër to 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye institucioneve përkatëse janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimet. 20% e institucioneve nuk janë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve. Rekomandimet nuk janë të shkruara në gur, nuk janë të padiskutueshme, por është e padiskutueshme që mos reagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente është cënim flagrant i etikës shtetërore”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama u ka bërë të qartë ministrave se nëse nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre pas rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike për tendera me probleme, do i çojë në SPAK.
“Në një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër të nivelit të Prokurimeve Publike, në radhë të parë duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak, dhe duke funksionuar kështu, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikim duhet të jetë 100% i garantuar. Rekomandimet e APP nuk janë as në Bibël e as në Kuran, edhe pse këto përsëri hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve, por ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa të mos ketë fare përgjigje, a thua se kjo APP mbyll letra në shishe dhe i hedh në det, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK nga kryeministria, pastaj a është i qëllimshëm apo injorancë këtë çështje pastaj hane hetimet. Janë disa objektiva të realizueshëm, që afatet janë të padiskutueshme. Shmangia e kritereve të qepurave me dorë që kufizojnë konkurrencën me paketën ligjore është mundësuar që të adresohet me efikasitet, tërheqjet nga gara, rrotacionet në ofertim, ofertimet fiktive duhen marrë masa që të merren hetime administrative”, tha Rama.