ITALI – Tani është zyrtare: Brahim Diaz është rikthyer të veshë fanelën kuqezi edhe për dy sezonet e ardhshme. Milani ka njoftuar huazimin dy-vjeçar të fantazistit spanjol, i cili ka nënshkruar një kontratë deri më 30 qershor 2023. Diaz, siç ishte përfolur edhe ditëve të fundit, do të veshë fanelën me numrin 10 në shpatullat e tij.
“AC Milan është i kënaqur të njoftojë se ka fituar vlerat sportive të Brahim Abdelkader Díaz nga Real Madrid CF, mbi një bazë të përkohshme dy-vjeçare. Lojtari bashkohet me klubin e AC Milan deri më 30 qershor 2023.
Brahim, pasi ka realizuar 39 ndeshje dhe shënuar 7 gola për AC Milan sezonin e kaluar, do të vazhdojë të veshë fanelën kuqezi dhe do të mbajë numrin 10,”- lexohet në komunikatën zyrtare të Milanit në rrjetet sociale.