Ardian Narkaj, 52 vjeç, i shpallur në kërkim për një vrasje, ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme në Dukagjin të Shkodrës, gjatë një operacioni të forcave RENEA për kapjen e tij.
Bëhet me dije se Narkaj qëndronte i fshehur në një stan në fshatin Razëm, ndërsa forcat RENEA e mbanin nën vëzhgim prej 10 ditësh, pasi të zonës kishin informuar për një person që lëvizte me armë zjarri.
RENEA zbarkoi mbrëmjen e djeshme në Razëm, por Narkaj nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, duke tentuar të largohej, ndërsa mbante në dorë një armë pistoletë. Për pasojë forcat RENEA kanë reaguar duke qëlluar me snajper në drejtim të 52-vjeçarit me qëllimin për ta neutralizuar. Policia bën me dije se në vendin e ngjarjes u gjet një pushkë me fishekë në fole gati për qitje.
Narkaj u dërgua fillimisht në Spitalin e Shkodrës, por për shkak të plagëve të marra, ai u transportua drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku mësohet se ndodhet në gjendje të stabilizuar.
Ardian Gjelosh Narkaj, 52 vjeç, ishte në kërkim nga policia prej 10 vitesh. Narkaj rezulton të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Shkodrës me 21 vite burg për dy vepra penale, “Vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”. Apeli i Shkodrës ka folur dy herë me të njëjtin vendim, pasi çështja e tij me vendim të Gjykatës së Lartë u kthye për rigjykim për herë të dytë në vitin 2015. 52-vjeçari është dënuar për vrasjen e dyfishtë të Ton Ulaj dhe Gjergj Shotaj, ngjarje kjo e regjistruar në vitin 2008 në fshatin Bratosh të Malësisë së Madhe. Krimi i dyfishtë ndodhi gjatë kohës kur dy viktimat ishin persona të shpallur në kërkim nga policia për vepra të tjera penale.
Narkaj u dënua nga Gjykata e Apelit Shkodrë me 21 vite burg burg. Por Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë prishi vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit në Shkodër, duke kthyer për rishqyrtim në vitin 2015 çështjen.
Por në çfarë rrethanash ndodhi vrasja e 13 viteve më parë?
Ardian Narkaj së bashku me babanë dhe bashkëshorten e tij kanë shkuar në qendër të fshatit Bratosh për të blerë ushqime me makinën e tij. Pasi kanë blerë ushqimet ai është ndaluar nga Tonin Ulaj, i cili i ka thënë se perse nuk i binte borisë, kur afrohej në qendër të fshatit, pasi sipas Ton Ulajt, Ardiani e dinte se kërkohej nga policia. Më pas, debati mes tyre është acaruar dhe Toni e ka akuzuar se i spiunonte në polici. Ardiani e ka mohuar një gjë të tillë. Ardiani dhe Toni kanë shkuar në shtëpinë e Gjek Narkaj për të sqaruar situatën, kanë thërritur edhe Gjergj Shotajn, kanë ikur në lokal dhe kanë pirë pije alkoolike. Më pas janë nisur për te shtëpia e Gjergj Narkajt. Pasi janë afruar rreth 600 metra shtëpisë janë dëgjuar të shtëna armë. Toni ka dalë i pari nga makina dhe Gjergji ka dalë më pas, duke kapur Ardianin për qafë. Sipas deklarimit të Ardian Narkajt, dy viktimat kishin armë zjarri, Shotaj një automatik, ndërsa Ulaj kishte një pistoletë dhe një pushkë të gjatë. Pasi kanë zbritur në tokë, të dy viktimat kanë filluar të gjuanin në drejtimin nga vinin krismat. Në tmerr e sipër, Ardjan Narkaj ka marrë një thikë dhe ka qëlluar Toni Ulajn. I ka marrë po ashtu edhe pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të të dyve.