Pas 12 ditësh “luftë”, flakët nuk janë “bindur” në Vlorë dhe vijojnë të “përpijnë” pyjet dhe kullotat. Në ditën e nëntë të zjarreve në Karaburun sot situata paraqitet më e qetë në pjesën që dje kishte situatë të rënduar, si në shtëpitë afër fshatit Dukat i Ri ashtu dhe në Pashaliman.
Aktualisht vatrat e zjarrit janë sërish mbi bazën e Pashalimanit si dhe në Malin e Dukatit. Zjarrfikësit kanë qënë gjatë gjithë natës në bazën e Pashalimanit ku në orët e vona ka pasur një situatë të vështirë pasi flakët e zjarrit janë afruar 30 metër afër bazës dhe u bë e mundur neutralizimi i flakëve.
Ajo që mbetet shqetësim në ditën e sotme janë zjarret që janë shfaqur mbas malit të Karaburunit mbi gjirin e Gramës ku janë shfaqur vatra zjarri të cilat mund të shkojnë në Llogara. Në këto momente janë duke shkuar forcat e ushtrisë për të parë situatën nga afër dhe pritet helikopteri.