ITALI – Për Cristiano Ronaldon, gjatë gjithë verës, është përfolur një largim të mundshëm të tij nga Juventusi. Për yllin portugez here flitej se do të kalonte te Paris SG, apo do të rikthehej te Real Madridi.
Por për t’i shuar këto zëra, ka menduar trajneri Max Allegri. Ai në konferencën për shtyp të Juventusit para startit të Serie A, ka konfirmuar se CR7 nuk do të largohet nga bardhezinjtë e Torinos, të cilët nesër do të përballen me Udinesen në transfertë.
“Ronaldo nuk luajti të enjten, sepse po vinim nga një ngarkesë e madhe stërvitore dhe unë i dhashë atij një gjysmë dite pushimi. Ronaldo është një bonus shtesë për ne, sepse ai garanton një numër të madh golash. Natyrisht, ne gjithashtu duhet të punojmë si ekip për të nxjerrë më të mirën nga një individ si CR7”,– deklaroi ai.
Trajneri u pyet në mënyrë specifike, nëse Ronaldo kishte dhënë ndonjë ide se ku do të luante këtë sezon, mes zërave të vazhdueshëm. “Ai gjithmonë është stërvitur mirë, unë vetëm lexova thashethemet në gazeta. Ai kurrë nuk na tha se donte të largohej, Ronaldo më tha se do të qëndroj te Juventusit”,- përfundoi Max Allegri.
Kontrata e aktuale e Cristiano Ronaldos me bardhezinjtë përfundon më qershor 2022 dhe asnjëra palë nuk duket e interesuar ta zgjasin atë. CR7 u ble nga Real Madridi në vitin 2018 për rreth 117 milionë euro dhe ishte ai golashënuesi më i mirë në Serie A sezonin e kaluar me 29 gola në 33 ndeshjet e zhvilluara.