Teksa Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kanë zgjedhur që mesazhin e parë publik për ditën e sotme ta japin për 23-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, një mungesë shumë e rëndësishmë është vënë re.
Ish-Kryeministri, lideri historik i PD, ende nuk ka ‘gjetur kohën’ që të kujtojë një prej njerëzve më të rëndësishëm të historisë së Partisë Demokratike.
Berisha, i cili nuk ‘përton’ të publikojë çdo gjë që i vjen në inbox-in e tij në Facebook, ka preferuar që të mos shkruajë asnjë mesazh për Azem Hajdarin. Postimi i tij i fundit është pikërisht për një ‘denoncim të qytetarit dixhital’, siç i quan ai lloj-lloj mesazhet që i dërgohen dhe që i publikon pa asnjë lloj filtrimi.
Ai mungoi sot edhe në ceremoninë zyrtare të Partisë Demokratike në nderim të Azem Hajdari, e para herë kjo në këto vite. Kujtojmë se Meta shkroi për Hajdarin se guximi i tij është një shembull për tu ndjekur në përpjekjet tona për të krijuar një Shqipëri si gjithë Europa. Ndërkohë që Basha tha se Hajdari është model frymëzimi për tu ndjekur për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit.