TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar tërësisht mënyrën e prezantimit të nismës Ballkani i Hapur përpara publikut. Sot, në konferencën e përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel, Rama e konsideroi projektit e iniciuar prej tij, Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev si pjesë e Procesit të Berlinit. Rama tha se “Open Balkan” është një nismë që ecën paralelisht me atë të Berlinit, por ndryshimi i fundit mes tyre, është se ky i fundit ka mekanizma më të ngadalta.
“Sigurisht që procesi i Berlinit ka nevojë për kohën e tij. Mekanizmat janë të avashtë, por edhe Ballkani i Hapur që kemi si një nismë të 3 vendeve, është rezultat i këtij Procesi. Na ka dhënë mundësinë të kuptojmë se nga bashkëpunimi ndërtojmë të ardhmen e përbashkët. Open Ballkan është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është nismë në kontradiktë. Është as më shumë dhe as më pak, mekanizëm për të a përshpejtuar. Nuk ka asgjë që kontradikton e procesit të Berlinit, pa nevojë për t’u mbledhur të tjerë për ne. Rezultatet kanë filluar të flasin. Open Ballkan nuk është asgjë më shumë sesa mjeti për të implementuar procesin. E rëndësishme është që teoritë e konspiracionit që janë të organizuara nga forca të treta të hedhura këtu për të na gënjyer ne për të krijojmë këtu një mikro-BE janë dokrra. Kancelarja ka dhënë, ju nuk jeni në BE por jeni europianë. Prandaj duhet që të nisim një proces, të punojmë që rajoni të ngrihet nga pikëpamja ekonomike dhe politike. Ky është thelbi,”– tha Rama.
Më herët, Kreu i Qeverisë e ka konsideruar ‘Open Balkan’ si një zbatim të katër lirive të Bashkimit Europian, por pa burokracitë e këtij të fundit. Konkretisht, herën e fundit që ka komentuar këtë gjë përballë gazetarëve, i ftuar në “Opinion”, Rama tha se kjo nismë u ndërmor kur u pa se Procesi i Berlinit nisi të zvarritej dhe se ky projekt lehtëson marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Kemi një mosdakordësi konceptuale përsa i takon qasjes së politikës rajonale. Për mua Ballkani i Hapur është interes stratregjik i kombit shqiptar. Ballkani i Hapur është zbatimi i 4 lirive të BE. Ajo që është realizuar nga diplomacia jonë me Beogradin, Presidenti i Serbisë ka pranuar lëvizjen e lirë të njerëzve si pjesë e asaj që sot e quajmë Ballkani i Hapur. Procesi i Berlinit është pikërisht ky, por është shumë më i avashtë dhe që varet nga burokracia europiane. Ne nuk kemi nevojë që të na mbledhin. Ballkani i Hapur është duke u mbështetur shumë shpejt nga të gjithë. Kur ne pamë që Procesi i Berlinit filloi të zvarritej. Gjëja që nuk kuptoj është ky: dikur bëhej luftë për t’u ulur në tavolinë. Sot serbët janë në tavolinë dhe ikin kosovarët, kjo është e paimagjinueshme. Ballkani i Hapur nuk negociohet, nuk diskutohet, kjo do të bëhet. Ore njerëz, o njerëz, a është më mirë që ai kamioni të rri të presë në kufi apo të niset e të arrijë në destinacion? Tani më thoni mes ketyre të dyja, a je shqiptar, eskimez apo serb, çfarë mund të kesh kundër?”– deklaronte Rama vetëm pak javë më parë.
Përse ky mendim ndryshoi sot?
“E kam më të lehtë ti them gjërat kur nuk është prezente zonja… Merkel ka vendosur një gur kilometrik….”– shtoi Rama ndër të tjera.
Të jetë prezenca e kancelares Merkel që e bëri Ramën të arsyetonte ndryshe dhe nismën “Balkani i Hapur” dhe nga një iniciativë të re, të pavarur e të padiskutueshme ta prezantonte si pjesë të Procesit të Berlinit?