BRAZIL-Një lajm i mirë mbërrin nga Brazili për gjendjen e Peles. Kampioni brazilian, i shtruar në spitalin “Albert Einstein” të Sao Paulo që nga gushti, u operua pas zbulimit të një tumori në zorrën e trashë gjatë një kontrolli rutinë. Kursi pas operacionit po ecën mirë dhe legjenda është gati të largohet nga kujdesi intensiv.
Kjo konfirmohet nga vajza e tij Kely Nascimento e cila publikoi ekranin e një telefonate me babanë e saj në Instagram. Pelé, dukshëm duke buzëqeshur, duket se është mirë: “Ai po shërohet nga operacioni. Nuk ka dhimbje, është në humor të mirë (është i zemëruar, sepse mund të hajë vetëm pelte, por do të jetë mirë!) dhe mund të dalë nga kujdesi intensiv e të kthehet në shtëpi”.
Pele gati për të dalë nga kujdesi intensiv
Në një version anglisht të të njëjtit postim, Kely Nascimento shtoi se tri herë kampioni botëror (1958, 1962, 1970) do të transferohet në një repart tjetër brenda një ose dy ditësh dhe pastaj të kthehet në shtëpi: “Ai është i fortë dhe kokëfortë, ka mbështetjen dhe kujdesin e ekipit brilant të spitalit, si dhe gjithë dashurinë, energjinë e dritën që po dërgon krejt bota. Do t’ia dalë!”
Të premten e kaluar ishte vetë “O Rey”, që i siguroi të gjithë për gjendjen e tij shëndetësore: “Miqtë e mi, çdo ditë që kalon ndihem pak më mirë. Mezi pres të kthehem në lojë, por do të pushoj disa ditë më shumë”.
Ndërkohë, raporti i fundit mjekësor konfirmon përshtypjet e shkëlqyera për gjendjen e Pele: “Pacienti Edson Arantes do Nascimento po shërohet në mënyrë të kënaqshme, është i vetëdijshëm, flet normalisht dhe mban shenja normale vitale”.