Kryedemokrati Lulzim Basha ka hedhur sërish akuza ndaj qeverisë duke thënë se është kthyer në një PPP që po plaçkit shqiptarët. Në lidhje me Sali Berishën, Basha tha se nuk heq asnjë fjalë që ka thënë për kontributin e tij, ndërsa theksoi se nuk do të cenohet aleanca dhe partneriteti i PD-së me SHBA duke mos pasur më kthim pas për vendimin e përjashtimit të ish liderit demokrat.
“77 votat e sotme janë formalizim i PPP-së, Rama Doshi Rakipi bashkë me kriminelët e dosjes 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër dhe Shijak. Janë fatkeqësia më e madhe për çdo shqiptar. Rama-Doshi-Rakipi janë fatkeqësia më e madhe për çdo shqiptar dhe fatkeqësia kombëtare. Qëllimi i kësaj PPP, i kësaj pakice plaçkitësish është të pasurojnë vetën e tyre në kurriz të shqiptarëve. Qëllimi ynë është të bëjmë gjithçka për të larguar këta armiq nga salla e parlamenti dhe kthejmë shqiptarëve demokracinë dhe parlamentin. Nuk kam asgjë për ti shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket kontributit të Sali Berishës për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe aleancës me SHBA, por dua të jem fare i qartë, aleanca dhe partneriteti i PD me SHBA duhet dhe do të mbetet i pacenueshëm në interesin më të mirë të demokratëve shqiptarë dhe të së nesërmes së Shqipërisë. Për këtë arsye ne së bashku me të gjithë shqiptarë do të bëjmë gjithçka për të realizuar aspiratën e tyre për ndryshim. Nuk ka kthim pas”, tha Basha.