Fillimisht qetësi dhe frikë… më pas duartrokitje dhe brohorima. Ngjitësi francez, Nathan Paulin ia doli të ecë mbi litarin që qëndronte 70 metra mbi tokë, lidhur në katin e parë të Kullës Eifel në Paris dhe teatrit Chaillot përballë saj.
27-vjecari arriti të ecë krejt i lirë, edhe pse i lidhur për sigurinë e tij fizike, mbi litarin 600 metra të gjatë, por nuk u mjaftua me kaq. Për t’ua bërë më të bukur spektaklin, qindra persona që po e ndiqnin me kuriozitet, u ul për disa minuta e madje edhe u shtri mbi litar. E gjithë performanca mbi litar zgjati 30 minuta.
“Ishte e jashtëzakonshme. Kjo performancë në Kullën Eifel, me pamjen simetrike të dy kullave përballë, ishte vërtet shumë e bukur nisja nga Kulla Eifel. Është një nga vendet më të famshme të botës, por ta zbulosh nga qielli, është vërtet e jashtëzakonshme. Munda të shijoj pamjet e të gjithë Parisit, por më pas u përqendrova tek ajo që kisha përpara. Nathan ka ecur për herë të parë mbi litar 10 vjet më parë. Ai thotë se nuk ka qenë e lehtë të mposhtë frikën.
“Kur isha i vogël kisha frikë nga lartësitë, kisha marrje mendsh, por mësova ta përballoja. Gjatë performancës nuk e ndjej më, nuk kam më frikë dhe asnjë problem. Ndonjëherë ndjej stres kur nis, por asgjë tjetër”, thotë ai.
Për herë të parë në 2019, 27-vjeçari ka ecur në lartësinë e 150 metra, përsëri në Paris, mes dy qiellgërvishtëseve, duke vendosur një rekord të ri botëror.
“Kjo provë ishte e jashtëzakonshme, sepse nuk është e lehtë të ecësh 600 metra mbi litar, të qëndrosh i fokusuar pavarësisht asaj që të rrethon. Në fakt ishte më e lehtë nga sa e kisha imagjinuar, ndaj ishte shumë e bukur. Jam i lumtur që ja arrita dhe që e ndava këtë eksperiencë me të tjerët”, shprehet ai.