Për të 7 ditë me radhë, situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar, ndërsa kryeministri Albin Kurti pritet të zhvillojë sot një takim me liderat e opozitës, teksa dy pikat kufitare Jarinja dhe Bërnjaku vijojnë të jenë të bllokuara nga protestuesit serbë.
Sipas mediave kosovare Kurti ka ftuar në takim të dielën liderin e opozitës, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun dhe atë të AAK-së Ramush Haradinaj. Ende nuk dihet ora kur do të mbahet ky takim, ku priten konsultime për gjendjen e tensionuar në veri dhe sigurinë në vend.
Situata në Zubin Potok, sot duket paksa më e qetë dhe Policia e Kosovës ndodhet në zonë për të vëzhguar zonën, ku mbrëmjen e së premtes, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve u dogj nga serbët, të cilët nuk pranojnë reciprocitetin për targat. Ata hodhën granata dore, por nuk ja arritën qëllimit të digjnin Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.
Tensionimi i situatës bëri që Kurti të mblidhte një ditë më parë Këshillin e Sigurisë, e më pas publikoi foto të dy personave që sipas tij ishin ‘kriminelët’ që po mbajnë të bllokuara pikat kufitare të vendit. Sipas kreut të Qeverisë,dy nga këta persona janë Vladislav Dajkoviq dhe Igor Braunoviq, të cilët siç thotë Kurti janë “të dëshmuar me veprimtari kriminale dhe pikëpamje ekstremiste”. Prania e helikopterëve e avionëve luftarakë rusë dhe serbë në kufi, Kurti i cilësoi si provokime që tentojnë të nxisin konfliktin rajonal.
Ndërkohë NATO dhe BE kanë i kanë bërë thirrje të dy vendeve për qetësim të situatës dhe të shmangin përshkallëzimin e tensioneve.