ELBASAN– Krimi ka tronditur sërish Elbasanin, ku dy persona janë ekzekutuar mbrëmjen e sotme, në një atentat në dukje të mirëorganizuar. Viktimat janë identifikuar si Ardian Çollaku dhe Lulzim Bitri. Ngjarja u regjistrua në Bradashesh, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i luleve, pranë një karburanti, ku Çollaku bashkë me Bitrin, kanë qenë duke lëvizur në këmbë, në momentin që janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një automjet në lëvizje. Plumbat i morën jetën në vend Bitrit, ndërsa Çollaku mbeti i plagosur rëndë, por ndërroi jetë në spital disa minuta më vonë.
Automjeti, tip ‘Volvo’ i përdorur nga autorët u gjet i djegur disa minuta më pas në fshatin Balldre, një skemë e përsëritur nga ekzekutorët edhe në atentate të tjera të ndodhura në vend.
Ndërkohë rezulton se viktimat kanë qenë persona me precedentë të mëparshëm penal. Ardian Çollaku, i njohur edhe si Ardian Subashi, në vitin 2015 është arrestuar në Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet italiane, që e kishin dënuar atë me mbi 23 vjet burg për “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”. Mbetet ende e paqartë nëse Çollaku u ekstradua apo jo drejt Italisë, pavarësisht se ekziston një vendim për dënimin e tij. Ndërkohë Subashi ka qenë edhe subjekt i OFL ku vitin e kaluar së bashku me 3 persona të tjerë iu kërkua deklarimi i pasurisë.
Lulzim Bitri u arrestua në vitin 2018, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim të një personi në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Vrasja ndodhi pas përplasjes mes dy grupeve kriminale, ndërsa nuk dihet ende se në çfarë rrethanash Bitri la qelinë. Ka dyshime se vrasja e dyfishtë mund të ketë ndodhur për larje hesapesh, por hetimet vijojnë ende.
Kamerat e sigurisë së karburantit pritet të zbardhin më shumë detaje si ndodh ngjarja, ndërsa policia ka ngritur postblloqe në hyrje dhe në dalje të qytetit. Në Elbasan kanë mbërritur edhe forcat RENEA, FNSH dhe Departamenti i Policisë Kriminale.