Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha me ‘Foltoren’ e tij është zhvendosur këtë të martë në Kukës, ku Berisha u takua me demokratët e këtij qyteti.
Duke bindur demokratët që vendimi i Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, është i gabuar, pasi SHBA e shpalli ‘non grata’, Sali Berisha e cilësoi kreun demokrat, si peng të Edi Ramës. Berisha madje e injoroi Bashën, duke sfiduar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, që të ndjekë ‘Foltoren’ e tij pasi kjo është punë burrash e jo pengjesh.
“Edvin, ndiqe ketë foltore, kjo është punë burrash dhe jo punë pengjesh, burrash dhe grash të lira. Mblidhemi në këtë foltore t’i rikthejmë PD-së forcën e atdheut, t’i rikthejmë demokratëve dinjitetin për të cilën sakrifikuan aq shumë në betejën për përmbysjen e komunizmit. Ne mblidhemi në momente kritike për vendin në një kohë kur një njeri i cili ka kaluar në këto 8 vite nga skandali në skandal, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin e dytë më të korruptuar të botës, duke e shndërruar në vendin më të shpresë të planetit, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin e braktisjes masive. Nuk meriton të qëndrosh në qeveri jo 8 vite, po as 8 ditë”, u shpreh Sali Berisha.
Pas shkarkimit nga Komisioni i Sigurisë dhe paralajmërimit për përjashtim nga grupi, duket se Flamur Noka nuk është ‘trembur’ nga vendimi i Bashës dhe sërish i ka qëndruar ‘besnik’ Sali Berishës duke e ndjekur edhe në Kukës. Deputeti demokrat është parë krah anëtarëve të PD-së, teksa kishin dalë për të pritur Berishën me tupana, flamuj të PD-së dhe veshje kombëtare.
Berisha madje komentoi edhe shkarkimin e Nokës nga Basha, ku tha se këtij të fundit i ka hyrë frika nga anëtarët e PD-së dhe madje për këtë arsye e shkarkoi Flamur Nokën.
Me ‘Foltoren’ e tij Berisha më shumë se sa të rrëzojë Bashën nga kreu mi PD, në fakt kërkon t’u mbush mendjen demokratëve se ai është gjykuar pa të drejtë me shpalljen e vendimit ‘non grata’ nga DASH. Edhe pse vetë SHBA konfirmon se për Berishën është një dosje e plotë lidhur me faktet se ai ka minuar demokracinë dhe ka bërë korrupsion gjatë kohës që ka qenë në qeveri.