Me synimin për të zhbërë ndryshimet kushtetuese të korrikut 2020, që mazhoranca bëri me opozitën parlamentare që nuk ishte PD-LSI, me propozime të cilat zhbëjnë reformën territoriale dhe me ndryshime për vettingun e politikanëve, që praktikisht bëjnë një Kushtetutë të re propozimet e Partisë Demokratike, me firmën në fund të Lulzim Bashës janë dorëzuar sot në Kuvendin e Shqipërisë.
PD e nis fillimisht me propozimin për ndryshim të pikës 3 të nenit 45 që në thelb e vë theksin te vettingu i politikanëve. PD propozon që të përjashtohen nga e drejta e për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Ndryshimet Kushtetuese të 30 korrikut 2020
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm i propozuar nga PD është ai që zhbën ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut 2020. PD e thotë në mënyrë të hapur në nenin e fundit të projektligjit se
“Ligji nr. 115/2020, datë 30.07.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, ligji nr. 118/2020, datë 05.10.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe çdo akt nënligjor që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen”, thuhet në propozim.
Rikthimi i koalicioneve parazgjedhore
Lulzim Basha me propozimet për ndryshime në pikën 1 të nenit 68 ka vendosur koalicionet në Kushtetutë duke ‘marrë mësim’ nga ajo që i ndodhi në zgjedhjet e kaluara.
“Kandidatët për deputetë mund të paraqiten vetëm nga partitë politike, nga koalicionet e partive, si dhe nga zgjedhësit”, thuhet në propozim.
Ndarja territoriale e Shqipërisë
Partia Demokratike gjithashtu rikthen hartën e vjetër territoriale pasi në ndryshimet në nenin 108 të Kushtetutës thotë se “Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Komunat përfshijnë vetëm territore rurale, ndërsa bashkitë përfshijnë kryesisht territore urbane dhe vetëm pjesërisht territore rurale. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisëse, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore”.