TIRANË-Në Kryeministri ishin bërë gati për ‘gijotinën’ ndaj Kryebashkiakëve të cilët e kanë lënë situatën me menaxhimin e mbetjeve në vend ‘për faqe të zezë’. Dushin e ftohtë e nisi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila si provë përdori foto pirgjesh me plehra që ishin shkrepur vetëm në territoret që administrohen nga 61 të zgjedhur në vend.
Pas saj ‘stafetën’ e mori Rama por që ultimatumet dhe ‘dushin e ftohtë’ i kishte më të forta për kryebashkiakët. Kryeministri foli me emra, duke ‘ngritur në qiell’ Pjerin Ndreun e Lezhës dhe duke bërë për ‘një lek’ atë të Himarës, Jorgo Goro, duke e cilësuar si ‘shembullin e të fjeturit gjumë para plehrave’.
Rama u përmendi prokurorinë disa herë dhe ndjekjen penale, teksa nuk ngurroi t’i paralajmëronte se qeveria do të shkonte deri aty sa do i merrte vetë në menaxhim bashkitë nëse situata nuk ndryshonte.
Për Ramën justifikimi se ‘nuk ka para’ nuk vlen. Sipas tij asgjë nuk është më e shtrenjtë sesa imazhi që prishet për shkak të papastërtisë. Kryeministri ua tha qartë të zgjedhurve vendorë se asnjë buxhet i tyre nuk do të kalojë nëse nuk do të llogaritet edhe pastrimi, qoftë edhe me koston që të jetë gjëja e vetme që bëhet.
Arsenalin e përdorur për krerët e bashkive Rama e bëri edhe më të rëndë në fund kur u përmendi satelitin në orbitë. Ai u tha se pas marsit askush prej tyre nuk do t’i shpëtojë më ‘syrit nga hapësira’, edhe pse i ‘zhgënjeu’ serish kur ua bëri të qartë se nga orbita plehrat nuk pastrohen por duhet sërish vullnet dhe punë.
Mesazhet e Qeverisë i dhanë efektet e tyre menjëherë. Jorgo Goro direkt pas mbledhjes bëri autokritikë duke premtuar se ‘do përmirësohemi’, ndërkohë që Pjerin Ndreu me modesti tha se ka ende punë për tu bërë.
Edhe pse nuk ua dha ta qartë si ultimatum, Kryeministri Rama i tha 60 kryetarëve të bashkive, pasi Voltana Ademi e Shkodrës mungonte, se kjo punë që të përmirësohet kërkon vetëm 100 ditë punë. Nëse do të ketë reflektim kjo mbetet për tu parë. E rëndësishme është që në qytetet tona, në bregdetin dhe malet tona të mrekullueshme, pamje të tilla që të vjen turp të mos i shikojmë më.