Një klasë në gjimnazin e Këlcyrës “Sejfulla Malëshova” është mbyllur për shkak të infektimit me COVID të disa nxënësve. Bëhet me dije se janë 7 nxënës të klasës së II të këtij gjimnazi që kanë rezultuar pozitivë me COVID.
Mbyllja e klasës u bë me urdhër të ISHP për të këputur zinxhirin e infeksionit në mënyrë që të mos infektohen nxënës të tjerë. Mësimi do të rifillojë pas 14 ditësh.
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme gjimnazi “Qazim Pali” në Borsh të Himarës u mbyll për 10 ditë, pasi 7 mësues dhe 6 nxënës rezultuan pozitivë me COVID-19.
Pikërisht për të frenuar këtë përhapje të virusit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur edhe vaksinimin e fëmijëve mbi 16-vjeç dhe 12-15 vjeç me sëmundje kronike.
Ndërkohë një ditë më parë Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se po vlerësohet vendosja e ‘green pass’ për t’u futur në lokale apo marrë shërbime të tjera, sikurse po aplikohet edhe në shumë vende të tjera.